Shqipëria përfitoi mbi 1 miliardë e gjysmë euro nga turizmi në vitin 2016. Shifra, e cila përbën nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, u raportua nga Banka e Shqipërisë.
Sipas të dhënave që Banka publikoi në bilancin e pagesave, rezulton se krahasuar me vitin 2015 të ardhurat nga turizmi u rritën me 13 përqind duke i sjellë ekonomisë kombëtare 175 milionë euro më shumë.
Këto janë para, që shtetasit e huaj dhe emigrantët shqiptarë, që jetojnë jashtë kanë shpenzuar gjatë vizitave të tyre në Shqipëri për pushime, biznes, apo qëllime të tjera.
Turizmi ishte një nga sektorët që u godit më fort nga kriza financiare. Pas 2009-ës, të ardhurat udhëtimet e jorezidentëve në ekonominë shqiptare ranë për 4 vite me radhë duke zbritur deri në 1.1 miliardë euro në 2013-ën shkruan TCH.
Por në tre vitet e fundit tendenca është përmbysur dhe të ardhurat nga turizmi janë rritur me ritme të shpejta.
Dalja e Eurozonës nga kriza, por edhe rritja së fundi e interesit për Shqipërinë në tregun global turistik, ka shtuar përfitimet financiare për ekonominë duke e shndërruar turizmin në sektor udhëheqës të rritjes ekonomike./a.m.