Nga Linda Karadaku
Shqipëria I ngjan foshnjës në historine hebreje të gjykimit të Solomonit, ku “nënat” nuk lëvizin nga istikamet, qoftë edhe duke rrezikuar rrënimin e saj. Sipas gjykimit të Solomonit, Mbreti Solomon I Izraelit, duhej te vendoste rastin e dy nënave që të dyja pretendonin të ishin nëna e fëmijës. Mbreti kërkoi ti sillnin një shpatë dhe u tha që fëmija do të pritej në dy pjesë, kështu që secila pretendente për nënë mund të merrte gjysmën. Njëra nga gratë tha se gjykimi ishte I drejtë, ndërsa e dyta iu lut Solomonit që tía jepte foshnjën gruas së parë, vetëm të mos vritej fëmija. Mbreti e shpalli gruan e dytë nënën e vërtetë të foshnjës sepse ajo ishte gati edhe ta jepte fëmijën e saj, nëse kjo ishte e nevojshme për ti shpëtuar jetën. Kjo histori përdoret shpesh si matës për të provuar ndjenjat e vërteta dhe është bërë një shembull I gjykimit të mençur.
Istikamet e politikës shqiptare I ngjajnë shumë grave pretenduese me ndryshimin që nuk janë vetëm dy, por shumë. Të gjitha pretendojnë dashurinë ndaj foshnjës Shqipëri, por shumë, shumë pak janë gati të sakrifikojnë për ta shpëtuar jetën e saj. Kjo foshnjë nuk përbën për ta përgjegjësinë dhe detyrimin për ta rritur dhe zhvilluar, përkundrazi, shpesh të jep ndjesinë se nuk kuptohet më kush do ta shqyejë më shumë. Për më tepër, ne na duhet një Solomon që të vendosë çfarë është e drejtë apo e gabuar, kush është nëna e vërtetë e fëmijës, dhe kush është gati të lërë shpatën të bjerë mbi të. Politika shqiptare në gjithë këto vite nuk ka arritur të krijojë një institucion apo mekanizëm mbi palët, që do të kishte autoritetin, integritetin, përgjegjësinë, përgjegjshmërinë, gjithë-pranimin, dhe mbi të gjitha mençurinë, ti jepte zgjidhje situatave të ndërlikuara, ku nënat pretendojnë të njëjtën foshnjë duke rrezikuar ta çojnë në atë botë.
Mungesa e një institucioni apo mekanizmi të tillë çon në ngërçe politike që bllokojnë jo thjeshtë trafikun, por gjithë jetën politike, ekonomike dhe sociale të vendit. Pretendentet e foshnjës vazhdojnë betejën për mëmësinë e saj, ndërkohë që foshnja vetë vuan çdo sekondë të asaj krize. Foshnja Shqipëri ngec, ecën mbrapsht, majtas, djathtas, një hap para dhe dhjetë hapa mbrapa, ndërkohë që krizat në politikën shqiptare rrënojnë gjithnjë e më shumë besimin e njerëzve në të duke çuar gjithnjë e më shumë në drejtim të humbjes së besimit në integritetin personal dhe kolektiv të politikës shqiptare. Këtu nuk është çështja tek politika e moralit apo morali I politikës, këtu problemi është shumë më I thjeshtë dhe shumë më personal për cilindo qytetar të këtij vendi, çfarë të besosh, kë të besosh, pse ta besosh, a duhet ta besosh.
Krizat e vazhdueshme politike nuk përbëjnë kauzë për Shqipërinë, por për vetë politikën dhe të krijojnë përshtypjen se bëhen thjeshtë për pushtet dhe ndërrime karrikesh pushteti. Sistemi politik, siç e kemi, ka krijuar dhe konsoliduar palë, por jo mekanizëm dhe institucion mbi palët që do të hynte në lojë me përgjegjshmëri dhe integritet në situate të tilla krize duke mos lejuar as kriza artificiale, as kriza reale, sepse në të dyja rastet ka dhe gjenden zgjidhje, mjafton të ketë vullnet politik, përgjegjshmëri para vendit dhe qytetarëve të tij, dhe vënie të interesave të shtetit, para interesave të pushtetit. Në të kundërt, shpata vazhdon të qëndrojë mbi kryet e foshnjës!