PD njofton se Lulzim Basha është takuar me drejtues të institucioneve të BE gjatë qëndrimit të tij në Maltë në kuadër të kongresit të PPE.
Sipas PD, në takimin me Komisionerin e Zgjerimit, Hahn, Basha u ndal në zhvillimet politike në vend, ku u shpreh se e vetmja rrugëdalje nga kriza, është krijimi i një qeverie teknike që do të krijonte kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.
Basha mësohet të jetë shprehur se kjo qeveri teknike do të kishte mbështetjen e plotë politike për të vijuar me zbatimin e reformës.
Mësohet se Basha është takuar edhe me drejtues të CDU-së gjermane si dhe me kreun e PE, Antonio Tajani. Sipas Bashës, bojkoti i Kuvendit po bëhet në emër të vlerave evropiane.
Por Partia Demokratike nuk jep asnjë citim se çfarë i kanë thënë 3 drejtuesit e lartë të së djathtës Bashës. Ky i fundit madje bojkotoi edhe votimin e rezolutës së partive evropiane simotra që kërkonin kthimin e PD në Kuvend dhe ndjekjen e pretendimeve në rrugë institucionale.
Më herët, si Bashkimi Evropian ashtu edhe CDU e Angela Merkel i kanë bërë thirrje Bashës t’i japë fund bojkotit dhe të kthehet në Kuvend. Përfshirë këtu edhe Johanës Hahn. /javanews/b.d