Nga Skënder Minxhozi/
Ndërkohë që dy ish ministra të brendshëm, njëri i PS e tjetri i LSI, debatonin ashpër në distancë mes tyre, në Parlamentin shqiptar kolegët e tyre mblidhnin plot 88 vota të enjten, për të kaluar një paketë ligjesh që kanë të bëjnë me reformën në drejtësi. Këto dy pamje të kundërta, njëra ku kanë plasur debatet e akuzat e tjetra, e tjetra ku formalisht gjithçka shkon si më parë, janë sot imazhi simbolik i koalicionit PS-LSI, vetëm pak orë para se të mbushen katër vjet nga marrëveshja që krijoi shumicën që qeverisi Shqipërinë gjatë këtij mandati.
Nuk ka ditë që një përfaqësues i LSI të mos dalë dhe të mos kujtojë sesa keq po qeveriset vendi. Jo nga shumica, por nga një pjesë e saj. Pra nga PS. Megjithëse u bënë katër vite që Edi Rama takohen çdo javë mes tyre, herë vetëm për vetëm, herë me ministra, deputetët e zyrtarë të tjerë nga pas, duket sikur në gjithë këtë hark kohor Lëvizja Socialiste për Integrim s’ka pasur asgjë për të thënë, ka votuar gjithçka, ka heshtur në çdo rast, ka gëlltitur gjithë çfarë i kanë vënë përpara – kurse sot duket si një parti e zgjuar papritur nga letargjia e dimrit. Dhe qëllimi duket se s’ka të bëjë fare me qeverisjen dhe bilancin e saj, por me zgjedhjet.
LSI po kërkon t’i rikthehet këto orë eksperimentit të 21 korrikut. E thënë ndryshe, po kërkon të kushtëzojë një moment angazhimi kushtetues, me një marrëveshje kompromisi me opozitën. Nëntë muaj më parë Ilir Meta për pak bllokoi gjithë paketën kushtetuese të reformës në drejtësi (e do t’ja kishte arritur kësaj, nëse ambasadorët nuk do të ndërhynin energjikisht), duke pretenduar se reformën duhet ta votonte edhe opozita. Ashtu si në mesin e vapës së korrikut, edhe sot ai po përpiqet që të filtrojë idenë se as në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit s’duhet shkuar pa opozitën. Megjithëse opozita ka dalë me vullnet të plotë jashtë sistemit, nga zyrat e politikës në kalldrëmin e “Dëshmorëve të Kombit”, nga selia e Kuvendit në çadrën plastike që ka bllokuar trafikun e që po kërcënon të bllokojë edhe jetën politike e sociale të Shqipërisë.
Nëse pyet sot një eksponent të LSI, se cili ka përgjegjësi për situatën e krijuar mes palëve, do të shohësh se partia e Metës ka vënë një shenjë barazimi krejt abuzive e hipokrite mes dy partive të mëdha, për krizën aktuale. Më qartë dhe më hapur flet për këtë temë një europarlamentar i djathtë si Eduard Kukan apo partitë popullore e Departamenti i Shtetit, sesa një deputet i majtë i Metës! Për linjën zyrtare të LSI, faji për bojkotin që rrezikon zgjedhjet, Vetingun dhe gjithçka tjetër, ndodhet “mes çadrës dhe ballkonit të pushtetit”. Kupto “mes Bashës dhe Ramës”.
E paktë të thuash se, duke e hequr veten nga lista e përgjegjësive, Meta kërkon të rimarrë poltronin e preferuar të zjarrëfikësit të krizave. Natyrisht që edhe ky është njëri ndër qëllimet politike të këtij pozicionimi, ku LSI është përpjekur të faktorizohet si forca politike që shuan flakët e krizave. Por ka dhe më. Afrimi i 18 qershorit duket se përbën edhe për Metën një mister jo të lehtë për t’u deshifruar. Nga pozita të tjera nga ato të Bashës, ai ka megjithatë frikën e ngjashme me kreun e opozitës, se cila mund të jetë pesha elektorale e Ramës pas ditës së votimit. Zgjedhjet në Dibër dhe Kolonjë ishin këmbana të vogla alarmi jo vetëm për PD, por edhe për aleatin e socialistëve, i cili pa sesi sektori kryesor i të majtës, nuk pagoi asnjë haraç elektoral për skandalin e Shukriut, në një zonë historikisht të djathtë të vendit. Në deklaratat e LSI ndjehet një rezervë dhe dyshim i ngjashëm me PD, ndonëse i papranuar publikisht, për produktin që mund të dalë nga vota e 18 qershorit. Nga kjo parandjenjë e turbullt duket se rrjedh mëdyshja tashmë “hamletiane” e Metës, për të vendosur sesi do të dalë në zgjedhje. Me apo pa PS. Ose eventualisht, edhe me apo pa PD.
Për momentin LSI po angazhohet me të gjitha resurset e saj për të bindur subkoshiencën e shqiptarëve se ka qenë, por edhe nuk ka qenë në qeverinë aktuale. Se ka qeverisur katër vjet me Ramën, por (mos harroni!) edhe me Berishën. Se sot, kur merren vendimet e mëdha, nuk kujton më as votën pro reformës në arsim, as përfitimet e majme që ka pasur nga bashkëqeverisja e katër viteve të fundit. Angazhimi i vetëm i LSI në orët që jetojmë, është që të nënvizojë fort dhe me bojë të zezë statusin hibrid të një force politike që është dhe në qeveri, edhe në opozitë. Eshtë një operacion në dukje i vështirë, madje i pamundur, por për një parti që ka tetë vjet në pushtet, herë me njërën, e herë me tjetrën parti të madhe, duket se nuk ka gjë që s’mund të ndodhë!