Maxhoranca e majtë konfirmoi sot në Kuvend votat e domosdoshme për miratimin e 7 projektligjeve me shumicë të cilësuar, pjesë e paketës prej 27 ligjesh, që rregullojnë funksionimin e institucioneve të sistemit të drejtësisë.
Me të njëjtin rezultat votimi, 88 vota, deputetët miratuan të 7 aktet ligjore. LSI i ka bashkuar votat me PS-në për këto akte ligjore, por duket se mes dy forcave kryesore të maxhorancës ka shumë mosbesim. Kjo gjë është shfaqur edhe gjatë kalimit të pr/ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”.
Ndërsa është hedhur për votim Ministri i Drejtësisë Petrit Vasili ka shfaqur rezerva pasi sipas tij, “një nen është i paplotë”. Por, në këtë moment ka ndërhyrë deputetja socialiste Vasilika Hysi e cila tha se ky nen ka problem me zbardhjen dhe do merret siç e ka propozuar Ministria e Drejtësisë. Pas kësaj Vasili ka dhënë dakordësinë. “Dakord, atëherë, merret e mirëqenë”, tha ai.
Por nga vendi ka ndërhyrë deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ka shprehur hapur mosbesimin ndaj socialistëve.
“Thuaji ta vendosin, se nuk ka garanci me këta. Nuk ke garanci nga këta”, tha Kryemadhi, raporton “BalkanWeb”. Këtë mosbesim ajo e ka shprehur edhe për ligjin e arsimit të lartë ku tha se LSI propozoi disa akte nënligjore por që nuk janë miratuar ende.
ma.me