Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq me akuzën e mashtrimit me pasoja të rënda ish-drejtorin e CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, dhe ish-shefin e zyrës së financës, Jan Ivan.
Ditën e djeshme, Prokuroria ka përfunduar hetimet dhe ka përgatitur dosjen që do të dorëzohet në gjykatë ndaj dy shtetasve të huaj të pandehur për një dëm të shkaktuar shtetit në vlerën e 5 milionë eurove shkruan Panorama. Ata akuzohen se e kanë kryer këtë krim bashkë me biznesmenin shqiptar, Kastriot Ismailaj, por ky i fundit është duke u gjykuar tashmë në lidhje me këto akuza.
Ndërkohë, për shkak se shtetasit e huaj nuk janë më në Shqipëri, hetimi dhe dërgimi i tyre në gjykatë është bërë në mungesë, pas komunikimit të Prokurorisë me këta shtetas me anë të postës (letërporosive).
Abuzimi në dëm të buxhetit të shtetit, sipas Prokurorisë, ka ndodhur me anë të dy kontratave që CEZ, në kohën kur drejtohej nga Hejsek, ka firmosur me kompaninë e Kastriot Ismailajt, për mbledhjen e borxheve të prapambetura.
KONTRATAT CEZ-DIA
Nga hetimet e Prokurorisë, ka rezultuar se, më datë 01.09.2010, subjektet “Debt International Advisory” Ltd – Dega Shqipëri, dhe “Operatori i Sistemit të Shpërndarjes” SH.A., kanë lidhur një marrëveshje për shërbimin e mbledhjes së borxhit.
Objekti i marrëveshjes ka qenë, ndër të tjera, detyrimi i të porositurit të mbledhë prej debitorëve të porositësit, me mbështetjen dhe shpërblimin e porositësit, të gjitha borxhet dhe kamatat që kanë kaluar afatin prej 90 ditësh, duke përdorur mjete juridike të përshtatshme. Kjo marrëveshje është firmosur nga i pandehuri Kastriot Ismailaj, me cilësinë e përfaqësuesit të shoqërisë “Debt International Advisory” Ltd – Dega Tiranë, dhe shtetasi Josef Hejsek, me detyrë kryetar i Bordit Drejtues të “Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes” SH.A.
Marrëveshja e parë nuk u miratua nga Bordi Drejtues i shoqërisë ”CEZ Shpërndarja” dhe për këtë arsye, më datë 01.02.2011, midis këtyre palëve është nënshkruar një marrëveshje e dytë me të njëjtin objekt dhe për një afat dyvjeçar. Kjo marrëveshje është zgjidhur në muajin tetor të vitit 2011.
“Nga tërësia e të dhënave të administruara gjatë hetimit të këtij procedimi penal, arrihet në konkluzionin se qëllimi i shtetasit Kastriot Ismailaj nuk ka qenë mbledhja e borxhit të shoqërisë dhe as kryerja e ndonjë pune reale, por vjedhja e parave të shoqërisë “CEZ Shpërndarja”, bën me dije Prokuroria.
MASHTRIMI
Sipas akuzës, për realizimin e qëllimit të tij kriminal, i pandehuri Kastriot Ismailaj ka pasur si bashkëpunëtor personin nën hetim, Josef Hejsek, me detyrë kryetar i Bordit Drejtues të kësaj shoqërie.
I pandehuri Kastriot Ismailaj, duke përdorur të dhëna të rreme dhe dokumente fiktive në bashkëpunim me shtetasin Josef Hejsek, ka përfituar në mënyrë të kundraligjshme shumën 512 004 420 lekë, duke shkaktuar pasoja të rënda për shoqërinë “CEZ Shpërndarja”, si rrjedhojë edhe për shtetin shqiptar, i cili ka zotëruar 26% të aksioneve të kësaj shoqërie.
Paratë e përfituara nëpërmjet mashtrimit (vjedhjes), i pandehuri Kastriot Ismailaj nuk i ka përdorur me qëllim realizmin e kontratës, por i ka riinvestuar, i ka transferuar jashtë vendit apo i ka përdorur për qëllime personale./a.m.