Në takimin më i fundit që është zhvilluar në Qarkun e Shkodrës merrnin pjesë veç Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako edhe Prefekti Paulin Radovani e kryebashkiakja Voltana Ademi.
Veç debateve mes drejtuesve të Policisë së Shtetit dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Shkodrës, drejtuar nga Voltana Ademi për ashpërsimin e masave ndaj atyre që nuk denoncojnë kultivimin e kanabisit, ra në sy se pjesë e takimit ishte edhe një prej administratorëve të caktuar nga kryebashkiakja Ademi në njësinë Pult, i cili pak kohë më parë u arrestua dhe aktualisht hetohet për kultivim kanabisi.
Report Tv zbulon se personi që shihni në këto pamje është Tom Marku, administrator në njësinë Pult.
Marku u arrestua në gusht të vitit 2016 pasi në banesën e familjarëve të tij, u gjet e kultivuar një sasi e konsiderueshme lënde narkotike, por vetë administratori i caktuar nga Bashkia e Shkodrës, mohoi të kishte lidhje me drogën.
Gjykata e Shkallës së parë dha ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg ndërsa në shtator Gjykata e Apelit e la te lire kundrejt nje garancie pasurore, ndërsa hetimet vijojnë në Prokurorinë e Shkodrës për akuzën e kultivimit të bimëve narkotike dhe armëmbajtje pa leje.
Ende nuk është e provuar nëse Tom Marku është fajtor ose jo, pasi kjo i takon gjykatës por është ironike që në një takim konsultues për parandalimin e kultivimit drogës merr pjesë edhe një person nën hetim për këtë fenomen.