Ndërsa Britania filloi formalisht negociatat e hidhura për të përjashtuar veten nga politika dhe ekonomia e Europës, kryeministrja Theresa May refuzon t’i vërë emrin që ka asaj që po ndodh. Por Mbretëria e Bashkuar është e sigurt që do të dalë nga negociatat më e varfër – e ndoshta edhe më pak demokratike.
Nga Chris Patten
Ndërsa Britania nisi formalisht negociatat e hidhura për të përjashtuar veten nga ekonomia dhe politika europiane, kryeministrja Theresa May refuzon të përdorë fjalën “divorc” për të përshkruar atë që po ndodh. Bashkëshortja ime, një avokate dhe ndërmjetëse familjare në pension, mendon se May mund të ketë të drejtë. Në fund të fundit, shtëpia e familjes nga ne po dalim mbart ende shumë nga historia dhe pasuria e familjes sonë, si dhe interesin ekonomik të së ardhmes sonë. Në këtë kuptim, divorci nuk është një opsion.
Britania nuk ka qenë një ishull i mbyllur siç e mendojnë zakonisht një pjesë e njerëzve. Duke filluar nga familja monarke e jona (e cila është Gjermane) te eksportet tona (të cilat në shumicë dërrmuese përfundojnë në Europë), ne kemi ndihmuar për t’i dhënë formë dhe për rrjedhojë, kemi marrë formë nga zhvillimet në pjesën tjetër të Europës Perëndimore. Ne jemi të ndarë nga vetëm 33 kilometra ujë – Ngushtica e Doverit, e cila sot duket shumë e gjerë.
Pra pse ne po ndahemi? Shkaku është një përzjerje e lodhjes, zhgënjimit, gënjeshtrave dhe gjaknxehtësisë. Ne jemi të ngopur me paafstësinë e Europës për të trajtuar disa nga sfidat më të mëdha të kohës sonë – nga konkurrueshmëria te imigrimi – pa kërkuar të marrë më shumë fuqi në qendër.
Përveç kësaj, udhëheqësit tanë politikë prej vitesh kanë luajtur në duart e atyre që janë armiqësorë ndaj BE-së, duke pranuar çdo kritikë mbi të, kritika që në shumicë mbështeten në falsitete. Ne refuzojmë ta shohim veten për atë që jemi: një vend me përmasa të mesme që nuk sundon më pjesën më të madhe të botës. Ne shumë lehtë bindemi nga ideja se nuk mund të jesh patriot në rast se nuk je nacionalist.
Ne mundemi dhe duhet të menaxhojmë pasojat e kësaj ndarjeje pa shkaktuar shqetësime të mëtejshme për veten. Por procesi i ndarjes deri tani nuk ofron shumë shpresë.
Referendumi Brexit qershorin e kaluar qe në vetvete një katastrofë. Një demokraci parlamentare nuk duhet të përdorë kurrë mjete të tilla populiste. Pavarësisht kësaj, May mund të reagonte ndaj 52 për qind të votuesve që zgjodhën daljen nga Europa duke thënë se ajo do t’ia dorëzonte bisedimet një grupi ministrash që besonin në këtë rezultat dhe pastaj t’i vendoste rezultatet e bisedimeve në proces të rregullt para parlamentit dhe popullit. Në vend të kësaj, ajo e ktheu të gjithë qeverinë e saj në një makineri Brexit, megjithëse ajo ka deklaruar se dëshironte që vendi të mbetej pjesë e BE-së. Motoja e qeverisë së saj tashmë është “Brexit ose dështim.” Për fat të keq, ka gjasa që do t’i marrin që të dyja.
Pra çfarë ndodh më tutje? Askush nuk ia ka idenë. Humnera afrohet; budallennjtë janë vënë në rradhë.
Ne e dime se pothuajse gjysma e eksporteve tona shkon në BE, pesë herë më shumë se sa eksportet drejt vendeve të Komonuellfit dhe gjashtë herë më shumë se sa eksportet drejt vendeve BRICS (Brazil, Rusi, Indi, Kinë, Afrika e Jugut). Por ne kemi hequr dorë nga qëndrimi në tregun e përbashkët (gjë që na kërkon ne të pranojmë juridiksionin Europian si dhe parimin e tregut të lirë të punës) apo bashkimin doganor. Duket se ne duam një marrëveshje të tregtisë së lirë me BE-në, por vetëm sias kushteve tona, në mbështetje të industrive dhe shërbimeve tona kryesore.
Sekretari i Jashtëm në qeverinë May, Boris Johnson, argumenton se letrat janë në dorën tonë në këto negociata, për shkak se Europianët dëshirojnë të vijojnë të shesin – Proseço, për shembull – te ne. Por gjithsesi, ministrat e May thonë se nuk ka rëndësi nëse ne nuk marrim fare marrëveshje. Ne thjeshtë largohemi. Mospasja e një marrëveshjeje jo domosdoshmërisht është një rezultat i keq, këmbëngulin ata, për shkak se bota është e etur të bëjë më shumë biznes me ne, biznes që do të jetë më i leverdisshëm në të ardhmen për shkak se stërlina vijon të humbasë vlerë.
E gjitha kjo, që të kthehemi te fjala që May nuk dëshiron të përdorë, ngjan shumë me një divorc me sherr. Çdo e papritur në bisedime do të shoqërohet me zemërim ksenofobik në seksionin e djathtë të Partisë Konservatore të May dhe në median tabloide ndaj të cilës May tashmë është shumë mirënjohëse.
Është mjaftueshëm keq që ne po vendosim për rrënimin e ekonomisë sonë, gjë që do t’i bëjë të varfërit më të varfër dhe sipërmarrësit më të dobët. Por përveç kësaj, ne po përmysim edhe shumë rregulla dhe konventa që ka demokracia jonë parlamentare, e cila nxit kërkimin për konsensus dhe kompromis në vend të sundimit të maxhorancës.
Vetëm 52 për qind e votuesve të Britanisë e morën vendimin për të dalë nga BE qershorin e kaluar. Se për çfarë votuan ata kjo mbetet një mister. Por ata kanë folur, këmbëngulin May dhe mbështetësit e Brexit. Kështu kjo është punë e mbyllur. Injoro, thonë ata, atë që thonë “armiqtë e popullit,” gjykatësit në gjykatat tona të pavarura. Mbylli gojën çdokujt që shtron pyetjen se çfarë po ndodh aktualisht me ne. Sulmo reputacionin e çdokujt – qoftë menaxher biznesi, politikan apo udhëheqësi i shoqërisë civile – që mbështet anëtarësinë në BE apo hap një diskutim mbi të. Thuaji BBC se ajo duhet të pranojë Brexit me entuziazëm ose të përballet me zemërimin e popullit. Mbi të gjitha, mbylle debatin parlamentar – të gjitha këto në emër të “rikthimit te sovraniteti parlamentar.”
Ky divorc nuk po ecën mirë. Dhe pasojat vetëm sa kanë filluar. Ka një rrugë të gjatë përpara. Askush nuk e di se çfarë lloj vendi ne do të jemi në fund të saj. Por, si me çdo divorc, ne mund të jemi goxha të sigurt se janë fëmijët ata që do të vuajnë më shumë.
Project Syndicate-BIRN