Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) konfirmon se prodhimet e mishit që importohen nga Brazili janë të çertifikuara dhe konform standarteve të sigurisë ushqimore.
Në një njoftim për shtyp, AKU bën të ditur se, për periudhën nëntor 2016 –mars 2017 janë importuar nga Republika Federale e Brazilit drejt Shqipërisë, vetëm ngarkesa me mish pule dhe derri, që plotësonë kërkesat e legjislacionit në fuqi për ushqimin dhe kërkesat e marrëveshjes “ Mbi importin e mishit nga Republika Federale e Brazilit “ e arritur midis Autoriteteve të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Brazilit.
AKU hedh poshtë lajmet nëpër media se importohet “mish i kalbur viçi nga Brazili” dhe sqaron se, Shqipëria importon nga stabilimente të miratuara nga Bashkimi Europian, shoqëruar nga certifikata veterinare të miratuara nga autoritetet veterinare qendrore të Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Federale të Brazilit.
Gjithashtu ju bëjmë me dije se, citon njoftimi se, nga sistemi RASFF (Rapid Alert System for Food and Feed) , sistemi i lajmërimit të shpejtë për ushqim dhe ushqim për kafshë, instrument i Komisionit Europian i krijuar për të garantuar ndjekjen e informacionit ndërkufitar, për të reaguar, në mënyrë të menjëhershme në rast rreziku ndaj shëndetit të konsumatorëve, nuk ka një njoftim të tillë për Shqipërinë për problematikën në fjalë.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pavarësisht se nuk ka alert nga sistemi RASFF, për të gjitha ngarkesat me mish pule dhe mish derri të importuara së fundmi në Shqipëri nga Republika Federale e Brazilit, ka bërë bllokimin e tyre, deri në përgjigjen e analizave prej mostrave të marra nga këto produkte.