Kjo javë ka shënuar edhe nisjen e një aksioni në të gjithë vendin për pastrimin e plazheve, në prag të nisjes së sezonit veror.
Njoftimi është bërë nga vetë Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes. Sipas njoftimit në fjalë, dita e nesërme do të shënojë edhe aksionin më të madh të kësaj nisme, për pastrimin e vijës bregdetare nga Shkodra në Sarandë. Nga ana e saj, Ministria bën thirrje për ndërgjegjësim si dhe për t’iu bashkuar këtij aksioni.
Njoftimi:Shqipëria është reklamuar tashmë në gjithë mediat prestigjoze botërore si një destinacion i preferuar turistik për plazhet e bukura dhe të virgjëra. Nuk mund t’i zhgënjejmë turistët duke i mbajtur këto plazhe të ndotura. Nisja e fushatës së MZHETTS përkon me 27 marsin që është Java Europiane e Plazheve të Pastra. Vetë stafi i Ministrisë në bashkëpunim me Bashkitë do të angazhohet të hënën më 27 Mars në një aksion pastrimi fillimisht në 10 bashki nga Shkodra deri në Sarandë.Shqipëria ka 109 plazhe bregdetare dhe liqenore, të cilat janë të shtrira nga veriu në jug.
Dimri, shirat , prurjet e lumenjve kanë sjellë shumë mbeturina në plazhet tona. Në fakt shkaktarë për shumë nga ato mbeturina janë vetë njerëzit të cilët hedhin lloj lloj plehrash buzë lumenjve dhe ato përfundojnë në breg të detit. Pastrimi është bërë çdo vit me aksione masive përpara fillimit të sezonit veror, por ajo që kërkojmë të bëjmë kësaj here është të sensibilizojmë qytetarët që të mos hedhin më mbeturinat ku të mundin.Këtë sensibilizim e nisim më herët pasi tashmë Shqipëria po frekuentohet jo vetëm në muajt e verës, por sezoni po shtrihet në kohë nga fillimi i Majit deri në fund të Tetorit. Synimi ynë është që Shqipëria të ketë një turizëm gjithëvjetor.
Nuk mund të justifikohemi më tek turistët që po dyfishohen, lidhur me mungesën e pastërtisë. Ka ende probleme që duhet të zgjidhen me bazën materiale të Bashkive, si kosha, tabela, tualete, por dhe logjistikën për dërgimin e plehrave çdo ditë nëpër landfillet e qyteteve. Në të njëjtën kohë që po punohet me Bashkitë për t’i zgjidhur këto problematika, vendosëm si Ministri të bëjmë një fushatë sensibilizuese, duke përfshirë dhe aktorët e dashur të Portokallisë për të edukuar qytetarët që të mos hedhin më plehra nëse duan më shumë turistë, më shumë të ardhura e më shumë mirëqënie. Aksioni nuk është as një ditë dhe as një javë. Aksionit i janë bashkuar edhe përfaqësues të Bankave, donatorë të ndryshëm, të cilët do të angazhohen jo vetëm javën e fundit të marsit por dhe në vazhdim pasi aksioni do të vazhdojë deri në fund të majit, kur turistët të mbushin plazhet tona. Gjithashtu janë përfshirë dhe organizatat më të mëdha mjedisore të cilat do të vazhdojnë aksionet e tyre në bashkëpunim me MZHETTS në dy muajt në vazhdim. Shpresojmë që këtë vit të ofrojmë një turizëm më cilësor dhe gjithëvjetor në të gjithë vendin.
Plazhet ku do shtrihet aksioni ditën e hënë, 27 mars
Plazhi Velipojës, Liqeni i Shkodrës,Plazhi i Shengjinit,Plazhi i Tales, Plazhi i Durrësit- Adriatik, Iliria, Plazhi Golem, Plazhi Qerret, Plazhi Spille,Plazhi i Divjakës, Plazhi publik, Plazhi Himare-Potam, Plazhi Sarande,Plazhi Ksamil, Plazhi i Pogradecit
a.ç