Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, prof. Fehmi Abdiu, e cilëson të gabuar argumentimin e bërë nga Presidenti i Republikës për kandidatin për ministër të Brendshëm, Fatmir Xhafaj.
Sipas Abdiut, Presidenti Nishani nuk mund të vërë në dyshim figurën dhe integritetin e një deputeti në momentin kur ai propozohet si ministër, një deputeti që ka disa mandate dhe që është në fund të kësaj legjislature, i cili ka kaluar në filtrat parlamentarë. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, Abdiu shprehet edhe se kërkesa e Presidentit Nishani për hetim parlamentar për figurën e Fatmir Xhafajt është jonormale.
Ish-kreu i Gjykatës Kushtetuese shikon krijimin e ngërçit institucional dhe politik me rastin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, për shkak të afateve në mbarim të mandatit të Kuvendit.
“Nëse shohim kërkesat që ka Kushtetuta, si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për zgjedhjen e presidentit, nuk është e vështirë që të parashikosh situata të vështira në të ardhmen, situata kur mund të krijohen ngërçe ligjore, proceduriale dhe kushtetuese, për të cilat unë dyshoj se Kuvendi do të jetë në gjendje t’u japë zgjidhjen e duhur ligjore”, shprehet Abdiu.
Për pak javë fillojnë procedurat për zgjedhjen e Presidentit të Republikës, ndërkohë që kjo përkon dhe me përfundimin e mandatit të kësaj legjislature të Kuvendit. Përcaktimet kushtetuese krijojnë ngërç për zgjedhjen e kreut të shtetit?
Mendoj se para se të japim një opinion fillestar rreth kësaj pyetjeje, që në vetvete përfshin shumë momente me rëndësi dhe delikate dhe me vështirësi të karakterit kushtetues e ligjor, e rëndësishme është që këto procedura të inkuadrohen dhe me situatën aktuale politike ku ndodhet vendi.
Po kalojmë një situatë mjaft delikate, si për shkak të reagimeve që ka pasur opozita prej kohësh, ashtu dhe për problematikat e reja që po lindin nga dita në ditë, që lidhen edhe me rajonin. Këta muaj mbartin detyrime të mëdha të maxhorancës, por dhe të opozitës parlamentare për të zgjidhur dy ngjarje që kanë të bëjnë me zgjedhjen e parlamentit dhe zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Edhe kërkesat e opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme duhen parë me objektivitet aq sa e meritojnë.
E them këtë, sepse edhe pse opozita në çdo kohë ka të drejtën e saj të ligjshme për të kërkesa të vazhdueshme prej maxhorancës parlamentare, unë mendoj se po kaq e rëndë- sishme është situata lidhur me një aspekt tjetër që ka të bëjë me detyrimin e maxhorancës parlamentare për ta çuar popullin në zgjedhje me korrektesë konform ligjit.
Pra, tre muaj para zgjedhjeve, kërkesa për një qeveri teknike pa pasur ndonjë ngjarje apo shkak të veçantë që mund të krijojë premisa të tjera, më duket se nuk përligjet dhe ka si qëllim krijimin e destabilitetit, për të shtyrë procesin zgjedhor, bëhet pse jo edhe për të krijuar ngërçe apo për të shtyrë dhe penguar procesin e zgjedhjes së presidentit.
I them këto, sepse sot në një këndvështrim të ftohtë, nëse shohim kërkesat që ka Kushtetuta, si për zgjedhjet parlamentare, ashtu edhe për zgjedhjen e presidentit, nuk është e vështirë që të parashikosh situata të vështira në të ardhmen, situata kur mund të krijohen ngërçe ligjore, proceduriale dhe kushtetuese, për të cilat unë dyshoj se Kuvendi do të jetë në gjendje t’u japë zgjidhjen e duhur ligjore.
Krijohet një ngërç mes afatit të përfundimit të mandatit të Kuvendit dhe atij të nisjes së procedurave për zgjedhjen e presidentit?
Fakti që zgjedhjet parlamentare janë përcaktuar më 18 qershor 2017, mua më bën të dyshoj se do të ketë probleme sa rreth zgjedhjeve parlamentare për shkak të qëndrimeve që mban opozita që vijon të insistojë mosregjistrimin në KQZ dhe të mos marrë pjesë në zgjedhje, aq dhe për faktin se kërkesat e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit imponojnë respektimin e disa afateve të caktuara rigorozisht në Kushtetutë për sa u përket raundeve për zgjedhjen e presidentit.
Kështu që fakti që në 24 korrik mbaron mandati i Presidentit të Republikës, fakti që duhet domosdo të fillojë procedura për zgjedhjen e tij, sepse do të zhvillohen 5 raunde, dëshmon se mund të ketë probleme, të cilat do të tregojnë se nuk do të realizohen dot raundet që kërkon Kushtetuta. Kushtetuta kërkon zhvillimin e 5 raundeve, por brenda këtyre afateve ligjore, duke pasur parasysh se Parlamenti do të shpërndahet në një periudhë nga 30 deri në 45 ditë para datës së zgjedhjeve, unë mendoj se këtu do të konkurrojnë problematika që do të pengojnë njëra-tjetrën. Diskutohet se cili parlament do të zgjedhë presidentin e ri?
Diskutohet se në cilën kohë do të përfundojë mandati i presidentit? Në cilën kohë do të përfundojë mandati i Kuvendit? Si parashikohen këto? Kushtetuta duket se nuk ka parashikuar ndonjë situatë të veçantë, siç më duket mua se po krijohet për vitin në vazhdim. Pa hyrë në shumë detaje ligjore dhe kushtetuese, më lind e drejta të them se do të ketë ngjarje që do ta vështirësojnë edhe më shumë klimën politike, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike.
Sipas Kushtetutës, mandati i presidentit shtyhet vetëm në kohë lufte. Atëherë i bie që presidenti të zgjidhet nga kjo legjislaturë parlamentare, sepse në të kundërt nuk do të kemi president me mandat për të dekretuar qeverinë e re?
Pikërisht, edhe për këtë pyetje që shtroni ju, unë mendoj se do të ketë probleme. Unë uroj që ligjvënësit të kenë parashikuar apo të mendojnë për gjetjen e një zgjidhjeje ligjore që mund të mos jetë e thjeshtë, por e domosdoshme, që të ketë zgjidhje kushtetuese, sepse zgjidhjet ligjore për problematika të tilla mund të mos plotësojnë kërkesat e standardet kushtetuese që duam.
Por unë them se mbase duhet në mënyrë të domosdoshme që vetë presidenti, vetë maxhoranca, pse jo edhe opozita në mënyrë të domosdoshme të afrohen në një tryezë të rrumbullakët që të zgjidhin problematikat që lindin, për të parashikuar me detaje rreziqet, kontradiktat që krijohen në kuadrin ligjor dhe kushtetues dhe për të bërë çmos për të marrë masat për t’i kaluar ato, mundë- sisht pa ndryshime të domosdoshme kushtetuese dhe ligjore, por në raste të pakalueshme, edhe me ndryshime kushtetuese.
Presidenti Nishani deklaroi se nëse ia lejonte ligji, nuk do ta dekretonte Fatmir Xhafajn si ministër i Brendshëm, ndërsa i bëri thirrje Parlamentit të kryejë hetim parlamentar ndaj tij. Si i vlerësoni këto deklarata?
Reagimi i presidentit përmes kësaj deklarate më është dukur i diskutueshëm, mos them i gabuar. Them kështu, sepse, sipas mendimit tim, presidenti ka të drejtë të kontrollojë dhe të vendosë me një qëndrim pro ose kundër propozimit të kryeministrit për emërimin e një ministri, duke parë dhe kontrolluar vetëm aspektin honorifik, kushtetues dhe ligjor, pa pasur të drejtë të fillojë dhe të vërë në dyshim problematika që kanë të bëjnë me integritetin personalitetin e kandidatit të propozuar.
Veç kësaj, për kandidaturat që janë dhe deputetë, unë mendoj se ai nuk ka pse të vërë në dyshim dhe t’i diskutojë ato, sepse Kushtetuta, kur bëhet fjalë për ministra, kërkon që kandidatura për ministër të plotësojë ato kushte që kërkohen për deputet. Për rastin konkret, zoti Xhafaj, i propozuar si kandidati për ministër i Brendshëm, është deputet prej disa legjislaturash, ka kontribuar dhe ka bërë një punë të lavdërueshme sa i takon Reformës në Drejtësi.
Kështu që mendoj se presidenti nuk duhej ta diskutonte në atë mënyrë dhe formë që u shpreh, duke deklaruar, sipas tij, se ishte kandidaturë e papërshtatshme, por se ishte i detyruar ta miratonte. Veç kësaj, mendoj se ai është shprehur në mënyrë jonormale, duke deklaruar se do të kërkojë hetim parlamentar në lidhje me këtë kandidaturë.
Pra, do të mendoja se si në marrëdhëniet e tij institucionale me kryeministrin, që e kishte propozuar kandidaturën, ashtu dhe në marrëdhëniet me Parlamentin, që ka të drejtën dhe detyrimin për ta votuar kandidatin, e në mënyrë të veçantë ndaj kandidaturës konkrete, presidenti është shprehur në mënyrë të gabuar.