Disa shoqata të veteranëve të luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë planifikojnë që gjatë vizitës së kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçic në Sarajevë të shkaktojnë trazira, tregojnë të dhënat operative të shërbimeve të sigurisë të dyja vendeve.
Kryeministri serb udhëton nesër për vizitë në Sarajevë, ndërsa vlerësimet e sigurisë janë shqetësuese, shkruajnë mediat serbe.
Sigurimi serb ka marrë informacione nga shërbimi në rajon se në Sarajevë mund të ndodhë skenar i ngjashëm me atë të Potoçares, në korrik të vitit 2015.
“Ka indikacione se disa organizata joqeveritare boshnjake dhe shoqata të veteranëve të luftës janë të gatshme të shkaktojnë kaos. Shërbimet e sigurisë në Serbi kanë marrë paralajmërime serioze se këto organizata do të tentojnë të shfrytëzojnë pakënaqësinë e madhe të boshnjakëve për shkak të vendimit të mëhershëm të Gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë që të hedhin poshtë kërkesën për rishikim të vendimit kundër Serbisë”, shkruajnë mediat serbe. Ndonëse vizita karakterizohet e rrezikut të lartë, Vuçic nuk do të heqë dorë nga vizita.
“Kam dëgjuar disa gjëra të çuditshme, por besoj se kjo do të kalojë në mënyrën më të mirë”, ka thënë ai.
Kryeministri serb para gati dy vjetësh ishte sulmuar në Potoçare dhe që nga ajo kohë sulmuesit nuk janë zbuluar./a.m.