Të paktën 8 ministra rrezikojnë të shkarkohen nga kryeministri Rama në një përpjekje të tij për të formatuar kabinetin dhe për t’i lënë ministrat të merren me punë partiake në prag të fushatës elektorale.
Ditën e diel është njoftuar një takim i Ramës me një pjesë të qeverisë. Kryeministri mund të zyrtarizojë të hënën shkarkimin e Damian Gjiknurit, Ditmir Bushati, Blendi Klosit, Lindita Nikollës, Mimi Kodheli, Bledi Çuçit, Ilir Beqajt dhe ndoshta edhe të Niko Peleshit.
Gazeta Shqiptare raporton se Rama pritet të largojë nga detyra pikërisht ata ministra që janë njëkohësisht drejtues politikë të Partisë Socialiste në qarqe, për t’iu dhënë atyre mundësi që të fokusohen me kohë të plotë në angazhimin elektoral dhe arritjen e objektivit: fitoren e zgjedhjeve parlamentare të 18 qershorit. Kështu Partia Socialiste hyn para kohe në fazën finale të fushatës, duke rritur praninë e drejtuesve politike në çdo qark, si edhe duke përfshirë të tjera figura politike në kabinetin qeveritar.
Ende nuk konfirmohet nëse Rama do t’i shkarkojë të 8 ministrat që PS ka deleguar si koordinatorë në qarqe apo vetëm një pjesë të tyre.
Nëpërmjet një statusi në “Facebook”, kreu i qeverisë, ka bërë edhe më konfuz publikun.
“Qesh mirë kush qesh i fundit”, ka shkruar Rama, duke e shoqëruar statusin me një barcaletë të vjetër. Me gjasë, gjithçka do të zbardhet me mbledhjen e ministrave sot dhe do të zyrtarizohet nesër. /b.d