Është një gjest ekstrem, nga i cili ai shpreson të marrë së paku një reagim serioz. Deri më sot, nga dy javë të qëndruari në Bulevard, ai ka mundur të sigurojë vetëm një drekë me ambasadorin amerikan, pas së cilës vendosi të shpallë luftë nga dëshpërimi.
Shpërndarja e protestës nga Tirana në rrethe, duke krijuar “Komitete Shpëtimi”, dhe vendimi për të bojkotuar zgjedhjet si opozitë, janë shpresa se ai do të mund të merret seriozisht.
Në fakt Lulzim Basha dhe Sali Berisha janë duke u marrë seriozisht për një çështje, që ata e kanë në dorë. Ata kanë prerë në besë faktorin ndërkombëtar dhe u është dhënë çelsi i administrimit të reformës në drejtësi. Ata si kalamaj hileqarë kanë marrë çelsin dhe kanë ikur nga shkolla. Kaq kanë bërë dhe për kaq janë marrë seriozisht. Ambsadori amerikan po përpiqet t’i kthejë në “bankat e shkollës”, Bashkimi Evriopian u ka qëndruar fort me deklarata, duke i konsideruar si një parti që ka keqpërdorur besimin e Brukselit, ndërsa Misioni Ndërkombëtar i Monitorimit, është duke kërkuar rrugëzgjedhje për situatën e krijuar.
Deri këtu janë marrë seriozisht dhe do të merren seriozisht, përderisa Perëndimi ka pjesën e vet të fajit, që i vari ujkut “mëlçitë në qafë”.
Më tutje, sidomos për zgjedhjet nuk i merr askush seriozisht, edhe pse janë të bindur që mund ti bojkotojnë edhe ato. Nëse kërkon në Google me emrin Sali Berisha, sugjerimet e para që të bën motorri i kërkimit për të, është “vjedhja e zgjedhjeve” dhe “traziarat e vitit 1997”. Nëse kërkon emrin e Lulzim Bashës sugjerimet e para që të jep janë zgjedhjet e Tiranës 2011. Nëse kërkon me emrin Arben Ristani, të jep vetëm vjedhjen e zgjedhjeve 2011.
Në këto kushte këta njerëz mund dhe të mos shkojnë në zgjedhje, mund ti shkaktojnë Shqipërisë një lodhje nga politika e tyre, por nuk është se e mbajnë dot peng.
Lulzim Basha do bojkot se do të shpëtojë nga analiza e humbjes, Sali Berisha do të shpëtojë nga Vetting-u i atyre që i kanë shpëtuar familjen, Ilir Meta do shpëtojë nga Edi Rama, Agron Duka do shpëtojë nga Nari, biles dhe disa kongresmenë amerikanë do të shpëtojnë nga Fatmir Mediu, por vetëm kaq. Këto të mira do ti ketë bojkoti. Por kushdo që do të jetë në krye të këtij vendi, do të jetë përgjegjës para historisë, nëse ngulit në këtë vend, marrjen e pushtetit pa zgjedhje në tavolinë. Një precedent i tillë do ta fuste Shqipërinë përjetësisht në spiralen e luftës civile dhe të papërgjegjshmërisë për ta marrë pushtetin me dhunë dhe kërcënime.
Kështu që Lulzim Basha është i lirë të bojkotojë zgjedhjet. Është i lirë po ashtu të mbajë aleatët e tij larg zgjedhjeve. Shqipëria do të ketë gjithnjë një opozitë dhe një qeveri që do të votohen nga shqiptarët derisa të jenë të lire të votojnë. Askush nuk emocionohet nga vendimet e tij politike.
Është i lire po ashtu të besojë se Ilir Meta nuk hyn në zgjdhje po nuk hyri ai, se LSI nuk do votojë Presidentin që do ai, etj. LSI ka të drejtën e saj të përdorë Luzlim Bashën sa herë ti duhet dhe Lulzim Basha po ashtu ka të drejtë ti besojë sa herë i duhet, duke e përdorur si “Viagra” që i ngre lart moralin.
I vetmi emocion negativ ndaj Lulzim Bashës dhe Sali Berishës, është që po mbajnë peng reformën në drejtësi. Tani as për atë, nuk kemi çfarë t’u bëjmë më moral. Duket që edhe ajo do të zgjidhet më 18 Qershor, kur shqiptarët të votojnë qeverinë e re dhe opozitën e re, e cila do të ketë në dorë mandatin për të shtyrë përpara reformën.
Kërcënimet për destabilzim të Shqipërisë, për bllokim të jetës institucionale dhe mosbindje civile, janë ëndrra në sirtar të një grupi njerëzish të frikësuar nga normaliteti në këtë vend dhe që mendojnë se janë më të rëndësishëm se shqiptarët e thjeshtë.
“Komitetet e Shpëtimit” që ai do të ngrejë në çdo qytet, nuk e shpëtojnë dot. Ato do të ekspozojnë më tej varfërinë e PD dhe do tu kujtojnë njerëzve në çdo qytet, se kush po tenton ti marrë peng.
Ata që vendosin se çfarë do bëhet me Shqipërinë, janë shqiptarët dhe jo një grusht banditësh që kanë vjedhur zgjedhje, miliarda dhe kanë marrë jetë njerëzish në emër të pushtetit të tyre këto 25 vjet. Kjo nuk është një shaka me zjarrin, por është një zjarr që do të djegë shakanë e tyre për të marrë peng Shqipërinë.
Merreni me qetësi deri më 18 Qershor, se dhe 100 ditë janë. Dhe nuk janë 100 ditët e Napoleonit. Janë 100 ditët e fundit të Lulzim Bashës në çadër.