Nga Andi Malasi
“Shqipëria është në krizë të thellë, qeveria drejt rrëzimit, procesi i integrimit është ndalur”.
“Shikoni të zgjidhni dobësitë e shtetit tuaj…”
Pak a shumë, citimet më sipër përmbajnë thelbin e një shkrimi në një media ruse dhe një deklarate të kryeministrit teknik maqedonas. E para, që përfaqëson edhe linjën e politikës ruse për më shumë ndikim në Ballkan duke forcuar faktorin sllav, sulmonte Shqipërinë pasi kryeministri Rama foli për rrezikun që i kanosej rajonit nga Lindja, si apel ky për SHBA-BE.
Ndërkohë deklarata e dytë është e kryeministrit teknik të Maqedonisë, i cili reagoi ashpër pas zhvillimeve të fundit në vendin fqinj duke akuzuar Tiranën zyrtare për ndërhyrje në punët e brendshme të Maqedonisë.
Troç ata po na thonë: Mjaft bëtë rolin e ‘të fortit’ pasi jeni shumë të dobët dhe s’keni forcë t’i dilni për zot as shtetit tuaj, e jo më shqiptarëve në trevat e tyre në rajon.
Në thelb këto deklarata nuk përmbajnë asgjë më shumë se sa politikën konstante antishqiptare nga ana e disa qarqeve politike në vendet fqinje dhe nuk përbëjnë asnjë çudi, por në kontekstin aktual sigurisht që dëmtojnë shumë jo Shqipërinë, por shqiptarët në tërësi.
Padiskutim që shqiptarët e Maqedonisë kanë nevojë për avokaturën Shqipërisë, përndryshe rrezikojnë asimilimin, siç në fakt artificialisht maqedonasit janë përpjekur dhe ja kanë arritur që të paktën zyrtarisht të zvogëlojnë numrin e popullsisë shqiptare. Sistematikisht kjo politikë e tyre i shërben tezës së nacionalistëve maqedonas se “shqiptarët janë minoritet, dhe jo një bashkësi e rëndësishme shtetformuese”.
Realisht për herë të parë Tirana bëri atë që se ka bërë më parë, mblodhi shqiptarët -jo në një platformë, por i unifikoi në një qëndrim për të drejtat e tyre të mohuara, kaq!
Dhe këtë rol të Shqipërisë në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve, Maqedonia po përpiqet ta delegjitimojë me tezën e “ndërhyrjes në punët e brendshme të shtetit të tyre”. Nga kjo përpjekje e tyre për t’i mbushur mendjen Perëndimit se në shqiptarët po u biem më qafë, tashmë propaganda ka kaluar në një nivel të ri, në nënvlerësim dhe tallje ndaj shtetit tonë.
Kryeministri teknik maqedonas na kujtoi hallet tona dhe problemet politike në Tiranë, për të treguar se jemi të dobët.
Mediat serbe, ruse dhe faktori politik antishqiptar në Maqedoni ka intensifikuar këtë aksion për të përqendruar vëmendjen te kriza shqiptare, një shtet sipas tyre i paaftë të zgjidhë hallet e veta. Dhe në fakt po ja arrijnë t’i mbushin mendjen edhe aleatëve tanë strategjikë, SHBA-BE.
“Situata në Ballkan është e brishtë”, tha presidenti i Këshillit Evropian duke i’u referuar edhe situatës në Shqipëri.
Kurrë më parë në histori interesat shqiptare nuk kanë konverguar kaq fortë me ato të Perëndimit, që e kemi pasur në krah vitet e fundit (ta themi troç: jo se ndokënd zë meraku për shqiptarët, por fati ynë i mirë që interesat e tyre përputhen me një faktor shqiptar të fortë). Por duket se Perëndimi po lodhet shumë me ne. Siç themi ne shqiptarët, SHBA-BE “po i zë goja lesh”, duke në bërë të qartë: Reforma, reforma, Vetting, Vetting, drejtësi, drejtësi…
Me siguri që në sy të aleatëve tanë strategjikë nuk po bëjmë një figurë aspak të mirë duke nxitur kriza politike për hir të interesave. Serioziteti ynë përballë aleatëve varet nga aftësia jonë për të bërë shtet nëpërmjet reformave demokratike. E gjithë forca jonë është e bazuar në mbështetjen e fortë nga SHBA-BE për të ndërtuar një shtet të fortë të së drejtës. Për këtë kanë nevojë sot jo Shqipëria, por gjithë shqiptarët në rajon. Mjaft u nëpërkëmbën bashkëatdhetarët tanë për hir të interesave të vogla politike. Ka ardhur koha për unitet dhe jo ndasi, pasi kështu askush nuk na merr më seriozisht! Nuk mund t’i dalim në mbrojtje shqiptarëve disa nga bulevardi ku kërkohet ngritja e një “Republike të Re” e disa nga institucionet e shtetit! Jo! Reagimi duhet të jetë një dhe i vetëm, të unifikuar në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve! Pasi vetëm kështu na marrin seriozisht!