Nga Afrim Krasniqi
7 mars 1914-2017. Duhej të ishte një ditë kujtese edhe për rastin e vetëm në 105 vjet shtet, kur Shqipëria u drejtua nga Perëndimi. Më 7 mars 1914 Princ Wied arriti në Durrës, kryeqendrën e vendit më të varfër dhe të harruar në Evropë. Projekti perëndimor i Fuqive të Mëdha për Shqipërinë nisi jetë përmes detajeve që flasin shumë. Wied krijoi pakënaqësitë e para momentin kur i dha dorën për ta ndihmuar bashkëshortes së tij për të zbritur nga varka (fanatikët e cilësuan sjellje të padenjë, një burrë që respekton një grua!!), kur u tha prijësve fisnorë se nuk do njohë asnjë autoritet tjetër lokal, kur dha urdhër që dekoratat jepen vetëm për ata që plagosen në luftë me armikun dhe jo me njëri tjetrin, kur organizoi pritjen e parë perëndimore në Shqipëri, kur dëboi Esatin e Toptanëve, kur vendosi të parën kushtetutë perëndimore në vendin ku për 500 vjet perëndimoret quheshin “të pafe”, kur aplikoi sistem taksash edhe për të pasurit, me status të privilegjuar në çdo sistem, kur tentoi të krijojë ushtri, polici, xhandarrmari, institucione, akte zyrtare dhe administratë në vendin pa traditë të tillë, dhe së fundi, kur refuzoi kryengritjen anti-historike të Haxhi Qamilit.
Bilanci i tij është modest, – 6 muaj Perëndim në vendin ku të gjitha gjërat kishin perënduar, i trashëguar nga Fuqitë që e sollën, i ndodhur në zjarrin e një lufte të re botërore, i zhgënjyer nga pafuqia e elitave vendore për të kuptuar dallimin mes të mirës e të keqes. Bernd Fisher thotë se ai nuk arriti dot të sundojë përmes intrigës, Fan Noli thotë se “Princ Wied mund ta fajësojmë vetëm për një gjë: që Ëidi nuk mund të bënte mrekulli”, dhe Arber Xhaferi i thotë të gjitha kur shkruan, “përmes princ Wied Shqipërisë iu ofrua mundësia e oksidentalizimit të sistemit te saj. Oferta u refuzua, u ngatërrua me interesa të vogla të despoteve të vegjël, intelektualëve të paardhur, diktatorëve paranoikë, për të vonuar procesin historik thuajse tetë dekada”. …
E dini ku ishte selia e Princ Wied, pra e monarkisë perëndimore në Shqipëri? Diku afër Velierës në Durrës, aty ku sherifi i qytetit ndërtoi një pallat 15-katësh, për të groposur historinë që të marrë 120 metër shtëpi për vete! E dini nëse ka bust, shtatore, nderim, dekoratë apo formë tjetër vlerësimi për Princ Wied në Shqipëri? Jo, asnjë. Ka një rrugë në periferinë e Durrësit me emrin e tij, kaq. E dini nëse kemi libra, studime, konferenca shkencore mbi princ Wied dhe projektin perëndimor në Shqipëri? Po, ka dy libra, 4-5 studime dhe një konferencë, organizuar nga autori i këtyre radhëve. Shteti, vetë shteti dhe institucionet e tij, kanë punë të tjera.
Imagjinoni sikur projekti evropian i vitit 1914 të kishte funksionuar, imagjinoni sikur Haxhi Qamili apo Esat Pasha të mos kishin fituar me projektin e tyre anti-evropian, imagjinoni cila do të kishte qenë rrjedha jonë shtetërore, politike, ekonomike dhe kulturore! Vetëm imagjinojeni, sepse ne vetëm mund të imagjinojmë. Asgjë më shumë. Pas 103 vitesh jemi po aty, eksperiment në kërkim të shtetit. Me Kushtetutë i dhamë OMN de facto pushtetin që KNK kishte më 1914. Zëri i të huajve është e mbetet zëri më i besuar, institucionet vendore janë aq të brishta sa pakkush i merr seriozisht. Vendin e Haxhi Qamilit dhe Esatit e kanë qenë ca burra të kollarisur që sillen po aq ashpër ndaj çdo zëri dhe ideje perëndimore në Shqipëri, që e kanë marrë peng progresin dhe projektin perëndimor dhe që në vend të “duam babën”, po imitojnë modelet orientale të Erdoganit të sotëm për të sunduar, pa kushte, pa fjalë, pa kritikë, pa përfaqësim. 103 vjet më pas Shqipëria është si atëherë, vendi i “të fortëve”, vendi i ikjeve masive të elitave, vendi i zhgënjimeve të mëdha, vendi i bejlerëve milionerë që për pasuri janë gati të sakrifikojnë gjithçka, përfshirë interesat e vendit; vendi i ndarë në llogore militantësh, vendi që “i despoteve të vegjël, intelektualëve të paardhur, diktatorëve paranoikë”, të cilët ashtu si atëherë edhe sot vijojnë të investohen për të vonuar edhe më tej procesin historik” të evropianizimit.
Reflektim? Një shoqëri serioze e bën. Shqipëria reflekton? E vështirë të besohet, nuk e ka bërë më parë dhe nuk ka arsye ta besojmë se është e aftë ta bëjë tani. Produkti? Ishim dhe mbetemi një shoqëri e vonuar në proceset historike.
Zgjidhja? Përkon me simbolikën tjetër të 7 marsit, – ditën e dijes, mësuesit dhe respektit për arsimin. Jo duke shpikur ceremoniale formale dhe as me fjalime patetike mbi gjuhën nga ata që i kanë humbur zërin dhe shpresën shoqërisë, jo me urime e pritshmëri utopike sikur zgjidhja do na vijë nga lart, por me kokën ulur dhe mendjen e mbledhur, se dija dhe vetëm dija, libri dhe vetëm libri, kanë forcën dhe potencialin për të kryer revolucion progresist kulturor, për të bërë ndryshimin dhe për të pasur arsye të projektojmë një të ardhme më të mirë sesa ajo e jona, prindërve dhe gjyshërve tanë!