Vijon masivisht dorëzimi vullnetar i armëve dhe municioneve luftarake.
Gjatë fundjavës në të gjithë vendin janë dorëzuar 61 armë zjarri, 30.365 fishekë, 25 granata, 6 predha si dhe 190 kapsolla detonatore. Në të gjitha qarqet Strukturat Vendore të Policisë, vijojnë takimet sensibilizuese në të gjitha Njësitë Administrative, Bashkitë dhe shkollat në kuadër të ndërgjegjësimit për dorëzimin vullnetar të armëve.
Krahas takimeve sensibilizuese, Policia e Shtetit në të gjithë vendin po vijon fushatën e trokitjes derë më derë nga Specialistët e Policisë së Zonave për të ndërgjegjësuar banorët për domosdoshmërinë e dorëzimit të armëve që mbajnë pa leje.
Pjesë e fushatës së trokitjes derë më derë nga Policia dhe pushteti Vendor janë bërë dhe nxënësit e shkollave të mesme, studentët si dhe stafet pedagogjike. Policia e Shtetit vlerëson si shumë të suksesshme këtë nismë dhe në këtë kuadër falënderon të gjithë ata banorë që iu përgjigjën thirrjes duke dorëzuar vullnetarisht armët.
Policia e Shtetit vlerëson si shumë të vlefshëm kontributin e nxënësve dhe studentëve të cilët janë bërë pjesë e fushatave ndërgjegjësuese dhe sensibilizuese për dorëzimin vullnetar të armëve dhe municioneve duke kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë.
Policia e Shtetit edhe një herë iu bën thirrje banorëve që mbajnë armë pa leje, t’i dorëzojnë ato brenda datës 30 Prill./b.d