Kryeministri Edi Rama risolli sot në kujtesë përmes rubrikës AMARCORD, kontributin e Marigo Pozios, si një nga figurat më të shquara të emancipimit të grave në Shqipëri.
“Ka veç dy javë distancë mes ditës së ndarjes nga jeta, 23 shkurt 1932, të apostulles së vetme femër të Ditës së Rilindjes së madhe, Pavarësisë, Marigo Pozios dhe datave të shënuara të 7 dhe 8 marsit. Marigoja kujtohet mbi të gjitha si qëndistare e flamurit kombëtar më 1912, por kurrsesi nuk mund të harrohet si e 27-ta nxënëse e Mesonjëtores së vashave, bashkëshorte e një patrioti të madh e të kultivuar, ishte nga më të shquarat figura të emancipimit të grave në Shqipëri”, shkruan Rama në rubrikën AMARCORD.
Ai thekson se “është vepër e saj shoqëria e grave “Shpresa kombëtare”, po ashtu edhe gazeta me të njëjtin emër e 1921, e para në Shqipëri e drejtuar nga një grua”. “Në këtë foto e shohim ende të re, në të djathtë, me dorën mbështetur tek bashkëshorti i saj, Jovani, që aq shumë u sakrifikua për përparimin e kombit shqiptar”, shkruan kryeministri./b.d