Ish-deputeti kristiandemokrat Mark Frroku, vijon procesin gjyqësor ndaj tij për vrasjen e Aleksandër Kurtit, ndodhur në Bruksel në vitin 1999.
Gazeta belge “La Dernière Heure” i ka kushtuar një artikull ish-deputetit që sipas saj nga aktiviteti kriminal, u ngjit deri në Parlament.
Gazeta përshkruan me detaje mbërritjen e Frrokut në Belgjikë me dokumente false, aktivitetin e tij atje, akuzat për vrasje dhe jetën politike pas rikthimit në atdhe.
“Asokohe, ai siguroi një qëndrim të përkohshëm në shtetin belg duke pretenduar se ishte kosovar dhe quhej Besnik Morina, i lindur më 6 tetor 1972, në Gjakovë. I regjistruar në Anderlecht, ai ngriti një rrjet prostitucioni së bashku me vëllanë e tij, Arbenin dhe bashkëpunëtorë të tjerë. Me këtë kontekst, lidhet edhe ngjarja e ndodhur më 5 Mars 1999, kur një farë Aleksandër Kurti, i cili ishte rivali i tyre, u vra nga disa goditje me thikë në rrugën “Fonsny Avenue” në lagjen “Saint-Gilles”, dhe trupi i tij u gjet në një kontenier pranë stacionit të trenit “Gare du Midi”. Ditën tjetër, Frroku la Belgjikën. Ai u vendos në Holandë dhe zhvilloi aty trafikun e drogës, aktivitet për të cilin gjykata holandeze e ka dënuar në vitin 2002 me 3 vite burgim. Më 7 Maj 2014, pasi përfundoi dënimin, Holanda e dorëzoi Frrokun në Belgjikë. I liruar me kusht, ai u kthye shpejt në Shqipëri. Gjykata Penale e Brukselit më pas e ka dënuar atë në vitin 2010 me 10 vite burgim për vrasjen e Aleksandër Kurtit në Bruksel. Belgjika ka kërkuar ekstradimin e Frrokut. Megjithatë, deri më tani, ai ka arritur ti shpëtojë ekstradimit. Si? Falë politikës”, shkruan gazeta belge.
/a.m.