Pas Sarandës dhe Gjirokastrës, edhe spitali rajonal i Korçës do të ketë së shpejti një godinë tërësisht moderne të maternitetit, duke rritur në këtë mënyrë, cilësinë dhe standardin e shërbimit. Kështu raporton Ministria e Shëndetësisë sipas së cilës 1 miliardë e 360 milionë lekë është fondi i parashikuar për rikonstruksionin e këtij materniteti.
Ministri Ilir Beqaj dhe Zëvendëskryeministri Niko Peleshi ishin në spitalin rajonal të Korçës ku u njohën me projektin, punimet për të cilin do të nisin së shpejti.
“Janë 1 miliardë e 360 milionë lekë të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit për fillimin e rikonstruksionit dhe të shtesës për maternitetin e Korçës. Procedurat e prokurimit kanë filluar. Këshilli Kombëtar i Territorit ja ka deleguar Bashkisë së Korçës procedurat për dhënien e lejes së ndërtimit, kështu që ne besojmë që brenda muajit Prill do të fillojmë punimet, të cilat do të zgjasin rreth 12 deri në 14 muaj”, u shpreh Beqaj.
Kreu i Shëndetësisë, theksoi gjithashtu se ky projekt “është vazhdim i angazhimeve që ne kemi për të përmirësuar ndjeshëm shërbimin spitalor, për të afruar shërbim dhe akses cilësor sa më pranë vendbanimit ku janë njerëzit, ky spital ka një traditë, mbulon një qark me një popullsi jo të vogël dhe edhe ndërhyrjet e tjera që po bëjmë në këtë spital besoj se do ta rrisin cilësinë e shërbimit për të gjithë banorët e qarkut të Korçës”.
Nga ana e tij, Zëvendëskryeministri Peleshi e vlerësoi projektin duke e cilësuar atë si një investim të rëndësishëm për qarkun e Korçës. “Unë e përgëzoj dhe e falënderoj Ministrin që e ka futur në paketën e projekteve prioritare për vitin në vazhdim, është një procedurë e filluar, rindërtimi apo ndërtimi i një materniteti të ri këtu tek kjo godinë gjysmë e rrënuar që kemi mbrapa. Është një investim i qenësishëm prej 1 miliardë e 360 milionë lekësh, siç e tha Ministri, pastaj do të ketë pothuajse po kaq edhe blerjen e të gjithë pajisjeve moderne të këtij materniteti”, theksoi numri dy i Qeverisë”, tha Peleshi.
Ndërkohë, Beqaj dhe Peleshi inspektuan edhe ecurinë e punimeve për ndërtimin e qendrës së re të shërbimit të Hemodializës në spitalin rajonal të Korës, një investim i cili do të jetë gati në muajin Prill të këtij viti.
“Kjo është një mundësi shumë e mirë që kush ka nevojë për këtë shërbim jetik dhe jeton në Korçë, mund ti kthehet jetës normale, sepse mund ta bëjë shërbimin pasdite, dhe ndërkohë, paradite mund të vazhdojë punë. Shmangim jo vetëm hallet e pacientëve, që tre herë në javë duhet të vinin në Tiranë, por përgjithësisht edhe familjarët që gjithmonë duhet ti shoqërojnë”, nënvizoi ministri Beqaj. /b.d