Një qen i vizatuar është identifikuar si punë e mjeshtërit të famshëm holandez, Rembrandt van Rijn, pasi kishte kaluar rreth 250 vjet gabimisht si një vepër e një piktori gjerman.
Zbulimi i autorësisë është përshkruar si një “sensacion” i vërtetë nga Muzeu “Herzog Anton Ulrich” në Braunschweig të Gjermanisë, shkruan CNN.
I njohur si “Braunschëeig terrier” imazhi besohet se daton nga viti 1637, ndërsa ka qenë pjesë e koleksionit të këtij muzeu që nga viti 1770, transmeton Koha.net.
Profesor Thomas Doring, kurator i grafikës dhe vizatimeve, ishte alarmuar për herë të parë rreth këtij gabimi dy vjet më parë derisa ishte duke bërë katalogimin e 10 mijë vizatime për arkivin digjital.
“Ka qenë e ekspozuar për dekada nën emrin e artistit Johann Melchior Roos”, ka thënë ai për CNN, ndërsa shton se, “ideja që kjo mund të jetë një vepër e Rembrandtit nuk ishte konsideruar asnjëherë më parë”..
“Por, ashpërsia e goditjes, variacionet e hijes nga shumë të buta në mjaft të dhunshme dhe shikimi ekspresiv i qenit, këto janë karakteristika tipike të punës së Rembrandtit”, thotë Doring.
Doring tregon se përvoja e tij në katalogimin e vizatimeve të Rembrandtit dhe nxënësit të tij gjatë një projekti të më hershëm ishte çelësi drejt këtij zbulimi.
“Isha mësuar të shikoja dallimet ndërmjet punëve të Rembrandtit dhe vizatimeve të artistëve të tjerë”, shpjegon ai.
Për të zbuluar nëse dyshimet e tij ishin të sakta, ai kishte vizituar Vjenën, Amsterdamin dhe Parisin për të studiuar vizatimet e Rembrandtit, ndërsa ka shfrytëzuar edhe ndihmën e ekspertëve të tjerë për veprat e artistit holandez. (b.an)