Enkelejd Alibeaj reagon lidhur me mosparaqitjen e deputetit të socialist Alfred Peza, në prokurori për të dhënë shpjegime lidhur me hetimet e nisura për pasurinë e tij. Alibeaj deklaroi se në qoftë se kjo është mënyra sesi mazhoranca, sesi ky deputet dhe sesi Edi Rama, koncepton reformën në drejtësi atëherë të gjitha përgjërimet, të gjitha përbetimet për reformën në drejtësi, për drejtësinë e re, nuk janë gjë tjetër veçse një hipokrizi.
“Në këtë situate, thirrja jonë shkon më së pari për Edi Ramën, për Kryeministrin, për atë që prej kohësh përbetohet dhe predikon se është njeriu, i cili ka marrë flamurin për drejtësinë e re. Është ai i cili duhet sot, tani, të dorëzojë deputetin e vet para drejtësisë. Të mos bëhet një pengues i kësaj drejtësie të re. Thirrja e dytë shkon pikërisht për ata, partnerët ndërkombëtarë, ata të cilët me shumë përkushtim, me shumë insistim e shoqëruan, ndikuan që kjo drejtësi e re të bëhej, që të ndikojnë tek Edi Rama. Të ndikojnë që ai të detyrohet ta çojë dhe ta dorëzojë deputetin e vet para drejtësisë”, u shpreh Alibeaj.
Po ashtu shtoi se thirrja tjetër shkon pikërisht për deputetin Alfred Peza, për të cilin tha se është mburrur gjatë gjithë kësaj kohe se ka votuar reformën në drejtësi, shkon për atë që ka votuar pikërisht reformën në drejtësi, dhe për të gjithë deputetët e tjerë, që ta detyrojnë atë të shkojë dhe të dorëzohet para drejtësisë.
Në qoftë se kjo drejtësi e re është për disa dhe nuk është për disa të tjerë që qëndrojnë mbi ligjin, si deputeti Alfred Peza, atëherë kjo nuk është drejtësi e re, kjo nuk është reformë e re, deklaroi Alibeaj dhe se ky është thjesht dhe vetëm sundim.
Ai tha ndër të tjera se sundimet kanë vetëm një përgjigje, pikërisht përgjigjen që populli u rezervon.
“18 shkurti është pikërisht momenti kur populli duhet të mblidhet dhe ka një arsye më tepër që të vendosë drejtësinë e vet. Të gjithë në 18 shkurt edhe për këtë arsye”, tha në mbyllje ai, duke kujtuar protestën e thirrur nga Partia Demokratike/a.k