Investimi më i fundit në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi” ka bërë të mundur shtimin e gamës së diagnostikimit dhe trajtimit për të gjithë pacientët që vuajnë nga sëmundjet pulmonare. Bëhet fjalë për një investim me vlerë afro 50 mijë euro përmes së cilit u bë e mundur blerja e një pajisjeje të re të Krioterapisë (Cryotherapy) dhe Diagnozës Endobronkiale, e cila rrit gamën diagnostikuese, por edhe trajtuese, të të gjithë sëmundjeve pulmonare, duke filluar që nga kanceri i mushkërive, por edhe sëmundje të tjera të sistemit respirator.
Një pajisje e tillë mjekësore, e cila vihet për herë të parë në përdorim në Shqipëri, përveç diagnozës, e cila ndihmon në marrjen më të lehtë të biopsisë, realizon gjithashtu edhe marrjen e një pjesë më të madhe të indit që ndihmon në rritjen e përqindjes të përcaktimit më të saktë të diagnozës.
Falë kësaj pajisjeje, afro 800 nga 2 mijë pacientë që i nënshtrohen çdo vit procedurave endoskopike, do të mund të bëjnë endoskopi me teknologji moderne dhe ky shërbim do t’ju ofrohet tërësisht falas.
Dr. Ilir Peposhi, shef i shërbimit të Bronkoskopisë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, shprehet se blerja e kësaj pajisjeje është një ndihëm e madhe edhe për mjekun për përcaktimin e diagnozës, duke shtuar se një pajisje e tillë po përdoret sot në spitalet më moderne në Europë.
“Është një aparaturë, e cila ndihmon pacientin, ndihmon dhe mjekun. Është një ndër trajtimet më të reja dhe në botë të kancerit bronkopulmonar ose ai që quhet trajtimi multimodal. Pra, një ndër modalitetet e trajtimit është pulmonologjia intervencionale e cila realizohet nga kjo aparaturë e cila tashmë është prezentë në spitalin tonë. Është një ndër aparaturat e para e cila nuk ka ekzistuar asnjëherë në spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi””, shprehet Dr. Peposhi.
Ai shton gjithashtu se para blerjes së kësaj pajisjeje, “vështirësia ka qenë dhe e jona dhe e pacientit dhe kjo do të na lehtësojë shumë punë qoftë për diagnozën nëpërmjet kësaj aparature qoftë në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme. Është një aparaturë me një vlerë goxha të madhe në shërbim të pacientit, në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientit por dhe në ndihmë të mjekut, sepse mjeku është ai që përballet dhe që lufton me sëmundjen”.
Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se investime të tilla, ndikojnë jo vetëm në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj pacientëve, por edhe krijimin e kushteve bashkëkohore për personelin mjekësor, duke zvogëluar përherë e më tepër boshllëkun ndërmjet kapaciteteve profesionale dhe ofertës së pajisjeve bashkëkohore në institucionet tona shëndetësore. /b.d