Ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri ishte sot në fshatin Dhoksat të Gjirokastrës, duke iu bashkuar studentëve të Universitetit “Eqrem Çabej”, për të trokitur derë më derë në kuadër të nismës “Shqipëria pa armë”. Duke iu bashkuar punonjësve të Policisë, studentët universitarë do të trokasin derë më derë shtetasve, për t’iu bërë thirrje atyre që kanë ende armë, t’i dorëzojë ato pranë organeve të rendit.
Ministri Tahiri, në një prononcim për mediat lokale, duke bërë një bilanc mbi këtë proces, u shpreh se, “jemi këtu për të vazhduar trokitjen derë më derë, në çdo fshat, në çdo lagje, në çdo qytet të Shqipërisë, për të bindur banorët të dorëzojnë armët. Për fat deri më sot, i gjithë ky aksion që ka nisur, ka pasur bashkëpunimin e shkëlqyer të qytetarëve dhe unë dua të falënderoj të gjithë ata që kanë dorëzuar armët”.
“Janë mbi 500 qytetarë që deri më sot kanë dorëzuar armën në të gjithë Shqipërinë, vetëm në 15-ditëshin e dytë të janarit. Dhe janë me mijëra municione të tjera që janë dorëzuar po gjatë kësaj periudhe. Ne sigurisht kemi akoma më shumë për të bërë”, vijoi Tahiri.
Gazetarët e pyetën Ministrin Tahiri në lidhje me deklaratat e deputetit Vangjel Tavo, për të cilat ai tha: “Shqipëria pa armë është objektivi ynë madhor. Unë jam këtu me studentët, me punonjësit e policisë. Jam këtu me pushtetin vendor, jam këtu me prefektin. Është i ftuar Vangjel Tavo dhe kushdo tjetër të na bashkohet. Ky nuk është objektiv i imi por është objektiv i yni, i shoqërisë në tërësi. Dhe besoj kjo është mënyra e vetme për të bashkuar energji dhe për të bërë një Shqipëri më të mirë”.
ma.me