Policia Kufitare godet një rast të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Sekuestrohen 31 pako me peshë 30 kg lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva. Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës.
Shërbimet e Policisë Kufitare të Kapshticës, në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Narkotikët në DVP-Korçë, bënë kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit :
Aldo Neli, 29 vjeç, banues në Zallher-Tiranë.
Arrestimi i tij u bë pasi, gjatë kontrollit të detajuar, të ushtruar në vijën e dytë nga shërbimet e Policisë Kufitare, (në dalje të Republikës së Shqipërisë) automjetit tip “Audi”A6 me targa AA960PN, të cilin ky shtetas drejtonte, në një vend të modifikuar midis sediljes së prapme dhe bagazhit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale :
31 pako të mbështjella me letër natriban, me peshë 30 KG lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva.
Nga veprimet hetimore të kryera, si edhe marrja e deklarimeve rezulton se shtetasi i mësipërm kishte si destinacion qytetin e Selanikut/Greqi.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve” parashikuar nga neni 283/a i Kodit Penal./a.m.