Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave do të jetë në dispozicion të njerëzve të drejtësisë jo vetëm jashtë orarit zyrtar, por edhe të shtunën e të dielën për të marrë formularët e kërkuar nga ligji i Vettingut.
Por ndërsa në interpretim të ligjit të Vettingut duhet që formularët të dorëzohen pasi të jenë ngritur Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe Kolegji i Apelimit, gjyqtarët dhe prokurorët po paraqiten pranë ILDKPKI dhe pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Kualifikuar për të mos rrezikuar me interpretimin e afateve.
Afati i mbetur është 11 ditë, ndërsa 18 ditë të tjera janë konsumuar para pezullimit të ligjit, atëherë kur u dërgua në Kushtetuese.
Kreu i Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, Erjon Bani thote për Top Channel se nëse do t’i qëndrohej besnik ligjit nuk duhet që formularët të dorëzoheshin pa u ngritur komisionet.
“Nuk është duke u zbatuar vendimi i Gjykatës Kushtetuese sepse Gjykata Kushtetuese thotë se nuk mund të ushtrojnë kompetencat e organeve ndihmëse që fillojnë me administrimin e deklaratave deri në paraqitjen e raportit përfundimtar pranë organeve të vlerësimit. Unë them që gjyqtarët dhe prokurorët të shkojnë sepse duke qenë se parashikohen sanksione shumë të forta nga mosdorëzimi i deklaratave, që sjell shkarkimin automatik”, thotë Bani.
Por me hyrjen në fuqi të Vettingut, gjatë zbatimit të tij edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese duket se shprehja “frika ruan vreshtin” është e duhura. Të kontaktuar nga Top Channel disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese thanë se do t’i dorëzojnë formularët brenda ditës së fundit të janarit për të mos u vendosur nën të njëjtin rrezik që është interpretimi i afateve./a.m.