Prokuroria ka nisur procedimin penal ndaj ish-Ministrit të Arsimit Myqerem Tafaj i akuzuar për shpërdorim detyre.
Është njësia task-forcë e krimit ekonomik në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila thekson se 3 muaj pas depozitimit të kallzimit penal nga Ministria e Arsimit, ka nisur edhe procedimi penal.
Bëhet fjalë për akreditimin e një Universiteti privat nga ana e ish-ministrit. Mësohet se grupi hetimor po mbledh dokumentacionin dhe proçedurat që janë ndjekur prej tij në akreditimin këtij universiteti.
Nga ana e tij Tafaj ende nuk ka komentuar këto akuza. Në 26 mars të këtij viti në Prokurorinë e Përgjithshme u depozitua një kallzim penal ndaj Tafajt.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Arsimit ka dokumentuar dy raste që lidhen me dhurimin e një pronë një subjekti privat dhe marrje leje në kundërshtim me ligjin pas refuzimit që i ka bërë këshilli i akreditimit ketij Universiteti.