Ditët e fundit, PS-LSI kanë rritur tensionet, ku së fundmi shkak është bërë propozimi i LSI për lista të hapura. Madje, eksponentë të LSI kërcënuan se kjo forcë do të dalë e vetme në zgjedhje. Fatos Klosi në një intervistë për gazetën “Sot”, u shpreh se LSI nuk i leverdis të dalë e vetme në zgjedhje me këtë Kod Zgjedhor, ndërsa parashikon se nuk do të ketë prishje të koalicionit qeverisës. Një arsye përse janë acaruar marrëdhëniet brenda koalicionit, është afrimi i PDIU.
Klosi tha se zgjerimi i koalicionit e çon të majtën në fitore të sigurt, ndërsa tha se nuk ka pse të shqetësohen, pasi ka për të gjithë. Sa i takon reformës në drejtësi, Klosi tha se të korruptuarit i tremben dhe kërkojnë ta bllokojnë.
Komisioni hetimor ka thelluar hetimet për CEZ, ku në skenë ka dalë Berisha me djalin e tij, ndërsa një sekser ka marrë 7 milionë euro ryshfet për privatizimin. A ka ardhur koha të mbajë dikush përgjegjësi për këtë skandal?
Kur CEZ u privatizua, që në fillim u kuptua se ishte një hile e madhe. Nuk bëhet fjalë vetëm me mënyrën se si u shit, por edhe të gjitha pisllëqet që u bënë nga mbrapa, duke filluar nga mospagimi i energjisë elektrike nga CEZ që merrte nga KESH, ndërsa institucionet shtetërore nuk i paguanin energjinë CEZ. Ishte një pazar! Nuk më çudit asgjë! Tani po dalin dokumentet dhe po merret vesh e vërteta. Lufta e madhe që u bë, që gjoja u lëshua pe nga Partia Socialiste për CEZ, ishte një luftë e PD me CEZ që ta justifikonte skandalin. Problemi është ky: A do jetë e zonja drejtësia shqiptare të mbajë qëndrim? Ky është i gjithë problemi. Për raste të ngjashme, drejtësia shqiptare nuk ka mbajtur qëndrim. Përmendim rrugën e Kombit, ku korrupsioni është më i madh se i CEZ.
Reforma në drejtësi vijon ende të zvarritet. Edhe pse gjykata mori një vendim, sërish nuk po bëhet asgjë për vetingun. A i trembet politika reformës në drejtësi?
Ata që donin ta kundërshtonin reformën u përpoqën shumë, por nuk ia dolën dot. Të shohim çdo bëjnë të tjerët. Nuk do të jetë një proces i lehtë. Gjatë rrugës do të dalin shumë probleme se kush do t’i gjykojë gjykatësit. Për mua, gjëja më e rëndësishme është që iu ndal dora prokurorisë për të marrë database e ILDKP, ku janë të dhënat e pasurisë së zyrtarëve të lartë. Do të ishte një skandal i madh po të ndodhte; do hidhte në erë vetingun dhe reformën në drejtësi. Kjo është një reformë kaq e madhe pas 25 vitesh në këtë vend ku gjyqësori ka qenë pushteti më i korruptuar, dhe të shpresosh se vetingu do të zgjidhë brenda ditës të gjitha çështjet, është absurde. Sërish do përplasen me njëri-tjetrin palët, do gjejnë sebepe për ta zvarritur reformën. E rëndësishme është të ecet në drejtimin e duhur, dhe mua më duket se ka marrë një drejtim.
Bujar Nishani, kohët e fundit ka shtuar dozën e sulmeve ndaj mazhorancës. A është një lëvizje për t’u katapultuar në krye të PD?
Presidenti ka treguar se është fare i papërgjegjshëm! Në të gjithë këtë kohë si President, ai ka treguar se është gur shahu i Berishës. Nuk është përpjekur fare që të ishte dikush në këtë eksperiencë. Të krijonte një figurë ndoshta jo krejtësisht të pavarur nga Berisha se nuk do ta bënte dot, por të paktën të ishte dikush. Me disa veprime absurde e shpallte hapur veten që ishte një ushtar i Berishës. Nëse do të synonte të ishte kryetar i partisë së vet, do të ishte i pasuksesshëm.
Ditët e fundit janë shtuar tensionet në koalicion. Si i shihni përplasjet për reformën zgjedhore, ku LSI kërkon lista të hapura, ndërsa PS është kundër?
Në fushën e Kodit Zgjedhor, këto parti gjithmonë kanë patur diferenca të mëdha, që në 2008 kur u bënë ndryshimet kushtetuese dhe më vonë procedura e filozofisë së zgjedhjeve ka sjellë përplasje. Kanë interesa jo aq kompatibël me njëra-tjetrën. Nuk është aq e thjeshtë që kjo të arrihet, sepse dy partitë e mëdha në përgjithësi i përmbahen ndryshimeve të 2008. Edhe mua më duket më e drejtë që të ketë zgjedhje me lista të hapura; populli ka më shumë mundësi të zgjedhë ata që vlerëson. Nuk mund t’i parashikojmë si do shkojnë gjërat, pasi do ketë edhe kompromise. Unë jam i mendimit se koalicioni nuk do të prishet. Zgjedhjet po afrojnë dhe nuk ka më kohë për të bërë numra.
Dy eksponentë të LSI, Ylli Manjani dhe Silva Caka, kanë kërkuar që forca e tyre të dalë e vetme në zgjedhje. Si e parashikoni bashkëpunimin e PS dhe LSI, a do shkojnë së bashku në zgjedhje?
Nëse Kodi Zgjedhor nuk ndryshohet, LSI nuk i leverdis që të shkojë e vetme në zgjedhje. Duke qenë në aleancë si parti më e vogël se PS, do përfitonte më shumë brenda koalicionit. Nëse ajo e mendon veten se është e fuqishme, mbase mund të hyjë dhe vetëm.
Një nga shkaqet e tensioneve në qeveri është dhe afrimi i PDIU. Si e shihni bashkëpunimin e Ramës me Idrizin?
Në një aleancë, secila parti ka interesat e veta. PDIU është afruar me aleancën në pushtet, për të marrë pjesë në pushtet. PDIU i dolën llogaritë që të jetë më mirë në aleancë me PS, në një koalicion fitues. Nuk mendoj se këto parti të koalicionit janë futur në sherr, pasi ka për të gjithë. Nëse ata do luftojnë fort me opozitën dhe me të gjitha partitë kundërshtare, pa luftuar me njëri-tjetrin, unë them se ka për të gjithë. E rëndësishme është që koalicioni të fitojë. Sa më shumë parti të jenë në një koalicion, aq më mirë është për koalicionin. Të gjitha partitë e vogla me këtë Kod Zgjedhor janë të detyruara të jenë në një koalicion zgjedhor.
Autoriteti ka nisur punën për zbulimin e bashkëpunëtorëve të Sigurimit. Sa i lehtë do të jetë ky proces, pasi shumë dosje janë zhdukur, dëmtuar dhe një pjesë janë të painventarizuara?
Problemi është se cilat dosje janë, kush synojnë të hapen dosjet? Nuk ka për detyrë ky komision të sajojë dosje dhe të merret me faktin që ç’u bë me dosjet. Ka për detyrë të hapë dosjet për t’u qetësuar ata që kanë patur dosje, që janë ndjekur nga Sigurimi. Të gjithë ata që janë ndjekur nga Sigurimi t’u tregojnë se çfarë ka ndodhur me ta, çfarë ka në dosjet e tyre.
Ditët e fundit ka patur tensione të marrëdhënieve me Maqedoninë. Shkupi akuzon Tiranën se po ndërhyn në punët e brendshme sa i takon formimit të qeverisë dhe aleancave me partitë shqiptare. Si i shihni këto tensione?
Nëse partitë shqiptare konsultohen me pushtetarët e Tiranës ose të Prishtinës, nuk ka asgjë të keqe. Kjo është një mundësi se si shqiptarët mund të arrijnë atje ku duan. Psh, të zbatohet marrëveshja e Ohrit, që deri tani nuk ka një zgjidhje. Nacionalistët maqedonas janë tallur me shqiptarët. Mbase për maqedonasit është e rëndë që shqiptarët duhet të jenë bashkë. Problemi kryesor është nacionalizmi maqedonas për shqiptarët. Shqiptarët janë në rrugë të drejtë. Për këtë duhet të shqetësohen maqedonasit. Ata po e ndjejnë forcën e shqiptarëve dhe kanë filluar të shqetësohen.
Po ashtu edhe Serbia akuzon qeverinë shqiptare se po ndërhyn në punët e saj të brendshme me arrestimin e Ramush Haradinajt. A e shihni me vend shqetësimin e Serbisë ndaj Tiranës zyrtare?
Ne duhet të jemi të zotë të përballemi me serbët. Serbia do përpiqet me të gjitha mënyrat që të hedhë baltë mbi gjithë shqiptarët e rëndësishëm që luftuan kundër saj. Problemi është, ne çfarë duhet të bëjmë? Shqipëria ka bërë deklaratat e saj dhe çfara thotë Serbia nuk më shqetëson fare. Më shqetëson qëndrimi i shqiptarëve si do përballen me këtë politikë. Qeveria shqiptare dhe kosovare duhet të përgatiten më mirë për t’u përballur me serbët.