Përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës thonë se ultimatumi i Qeverisë së Serbisë për themelimin e “Zajednicës” nuk përfillet nga institucionet e Kosovës. Madje, sipas tyre, nëse serbët e themelojnë njëanshëm Asociacionin e Komunave Serbe, ai do të shpallet ilegal, shkruan gazeta Zeri.
Themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në mënyrë të njëanshme, siç kanë paralajmëruar përfaqësuesit e Qeverisë së Serbisë, do të shpallej ilegal nga institucionet e Kosovës.
Kështu paralajmërojnë përfaqësuesit e Qeverisë së Kosovës, të cilët thonë se themelimi i Asociacionit është obligim për Kosovën, megjithatë thonë se ky Asociacion nuk do të themelohet pa u shuar të gjitha strukturat paralele dhe pa u kthyer serbët në institucionet e vendit.
Në anën tjetër, subjektet opozitare thonë se Qeveria “Mustafa” duhet të largohet në mënyrë që të vijë një qeveri e re e cila mbron interesat e vendit.
Ministrja për dialog, Edita Tahiri, ka thënë se Asociacioni i Komunave me shumicë serbe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe se do të themelohet vetëm pas shuarjes së plotë të strukturave paralele.
“Statuti i Asociacionit do të jetë në përputhje të plotë me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, të datës 26 dhjetor 2016. Ky proces do të shkojë paralelisht me heqjen e strukturave të mbetura paralele të Serbisë në Kosovë, për të cilat në Bruksel do të fillojë punën grupi trepalësh”, ka deklaruar Tahiri. (b.an)