Reshjet e dendura të dëborës që kanë përfshirë Stambollin kanë bërë që kompania ajrore “Turkish Airlines” (THY) të anulojë 640 fluturime brenda dhe jashtë Turqisë, të cilat do të realizoheshin nëpërmjet aeroportit “Ataturk”, njoftoi agjencia turke e lajmeve Anadolu Agency.
Si pasojë e vonesës së fluturimeve, kompania ajrore “Turkish Airlines” THY në dy ditët e fundit ka ofruar udhëtime për 29 000 udhëtarë të cilët kanë mbetur në aeroport, ndërkohë që 13 000 udhëtarë të tjerë janë dashur të vendosen në hotele.
Vonesat e fluturimeve kanë shkaktuar probleme në aeroport, ndërsa pamundësia për realizimin e fluturimeve të së shtunës ka detyruar udhëtarët që natën ta kalojnë brenda aeroportit.
Gjithashtu, stafi i aeroportit po punon për pastrimin e pistës në aeroportin “Ataturk”.
Si rrjedhojë janë anuluar të gjitha fluturimet nga aeroportet ndërkombëtare të Shkupit, Tiranës dhe Prishtinës për në Stamboll dhe anasjelltas.