Një ditë pas ngjarjes së rëndë në Turqi ku u vra ambasadori rus, policia e shtetit shtoi masat e sigurisë në ambasadën ruse në Tiranë. Një patrullë shtesë është stacionuar pranë selisë diplomatike ruse, ndërsa masat janë shtuar dhe në ambasadat përreth saj.
Burime pranë policisë thanë se në terren janë dhe agjentë të antiterrorit dhe ata te shërbimit informativ. Edhe pse nuk ka informacione per sulme të mundshme, masat vijnë pas kërkesës së vetë autoriteteve ruse për të gjitha ambasadat e saj. Por ngjarja e rëndë mesa duket ka diktuar përforcimin e masave edhe në selite e tjera diplomatike.
Një ditë më parë, ambasadori Andrei Karlov u qëllua teksa po mbante një fjalim në një ekspozitë fotografish në Ankara. Autori i identifikuar si Mevlut Aydintas, 22 vjeç anëtar i policisë turke, ende nuk dihet nëse ka lidhje me ndonjë grup ekstremist.
Në faqen e saj zyrtare në Facebook, ambasada ruse mban qëndrimin e Ministrisë së Jashtme ku dënohet akti terrorist. Sipas njoftimit, Rusia dënon këtë krim çnjerëzor, i cili ka për qëllim prishjen e përpjekjeve kolektive për të arritur zgjidhje kolektive në Siri, si dhe të procesit të nisur për normalizimin e marrëdhënieve Rusi-Turqi./Vizion Plus/a.m.