Kryeministrja e Skocisë ripërsëriti se vendi i saj duhet të qëndrojë brenda zonës së tregut të përbashkët me BE-në dhe i bën thirrje kryeministres britanike, Theresa May, që të tregojë “vullnet të mirë”, ose të përballet me referendumin e dytë për pavarësi.
Skocia do të mbajë një referendum të ri për ndarjen nga Britania e Madhe, nëse nuk mund të qëndrojë në tregun unik të Bashkimit Evropian. Këtë paralajmërim do t’a bëjë Nicola Sturgeon këtë javë, duke shtuar presionin mbi Theresa May, teksa kryeministrja e Brinanisë së Madhe harton planet për Brexit, shkruan “The Independent”.
Sturgeon, do të propozojë në hollësi një marrëveshje të re me Britaninë e Madhe për t’i mundësuar vendit të saj mbetjen brenda zonës unike të tregut me BE-në, pas Brexit, edhe në qoftë se Qeveria në Londër e tërheq Anglinë jashtë. Votuesit në Skoci zgjodhën opsionin e qëndrimit në BE në referendumin e qershorit dhe tani përballen me tërheqjen jashtë kundër dëshirës së tyre, me votat e hedhura në Angli, tha ajo në një koment të botuar në Financial Times të dielën.
“Mbetet pikëpamja ime, dhe e qeverisë që unë drejtoj, se alternativa më e mirë për Skocinë mbetet anëtarësimi i plotë në BE-së si shtet anëtar i pavarur”, tha Sturgeon. Pavarësia duhet të mbetet një opsion për ruajtjen e statusit tonë evropian, në qoftë se bëhet e qartë se interesat tona nuk mund të mbrohen në ndonjë mënyrë tjetër”, tha ajo./a.m.