Vangjel Dule fajëson kryeministrin Edi Rama për mosçeljen e negociatave të Shqipërisë me BE-në, duke argumentuar se për sa kohë do të qeverisë ai, vendi nuk do të ecë përpara.
“Politikat që po ndjek qeveria, nuk i shërbejnë integrimit. Rama e çoi vendin në dështimin e dështimeve. Ai e çoi vendin në dështimin e prioriteteve. Rama duhet të drejtojë gishtin nga vetja. Rama është përgjegjës para popullit dhe historisë. Vendi do kishte marrë statusin, ishte gati për negociata. Dështimi për negociatat ka vetëm një emër, Edi Rama…!
Dështimi nuk po i çon në reflektim, po në arrogancë. Sa kohë qeveris Rama, nuk mund të presim asgjë pozitive. Rama s’mund të tallet duke thënë ‘jetojmë në parajsë’. Kjo nuk ka se si pranohet, se si kapërdihet dhe se si mund të tolerohet. Po, kemi shumë përgjegjësi ne të gjithë. Të maxhorancës po se po, por edhe të opozitës dhe ne të tjerët që jemi me statusin e të pavarurit. E kemi çuar situatën deri aty sa shitja e votës është e pashmangshme, për shkak të nevojës që ka qytetari për të siguruar të ardhmen e familjes dhe fëmijëve”, tha Dule./java/a.k