Policia e Dibrës ka kapur një ngarkesë droge gati të kalonte në Maqedoni. Bëhet fjalë për 122 kg të cilat, po transportoheshin me kalë. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bllatë, në afërsi të Piramidës E-14/ 3 e cila kufizohet me fshatin Kllobçisht të Maqellarës në Dibër dhe me fshatin Banjisht, Komuna Dibër e Madhe, Maqedoni gjatë patrullimit në vijën e gjelbër kanë konstatuar një person me një kafshë dore të ngarkuar me çanta që po lëvizte në drejtim të kufirit maqedonas.
Menjëherë janë vënë në ndjekje të tij si dhe kanë njoftuar Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ku në ndihme të tyre kanë shkuar Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve. Por personi që po transportonte drogën është larguar menjëherë, ndërsa policia ka gjetur kalin me 7 thasë dhe 7 çanta plasmasi me drogë.
Policia ka identifikuar autorin me iniciale S.I., i cili është nga një fshat i Maqellarës dhe është në kërkim të tij.
NJOFTIMI I POLICISË
Bllatë, Dibër. Operacion antidrogë i koduar “Piramida”. Operacioni nga Policia Kufitare Bllatë në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Narkotikëve.
Sekuestrohet nga Policia Kufitare 122 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, që transportohej me një kafshë dore.
Sektori për Hetimin e Narkotikëve shpall në kërkim poseduesin e lëndës narkotike.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Bllatë, në afërsi të Piramidës E-14/ 3 e cila kufizohet me fshatin Kllobçisht të Njësisë Administrative Maqellarë, rrethi Dibër dhe me fshatin Banjisht, Komuna Dibër e Madhe, Maqedoni gjatë patrullimit në vijën e gjelbër kanë konstatuar një shtetas me një kafshë dore të ngarkuar me çanta të dyshuara me lëndë narkotike që po lëvizte në drejtim të kufirit maqedonas.
Menjëherë janë vënë në ndjekje të tij si dhe kanë njoftuar Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, ku në ndihme të tyre kanë shkuar Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve.
Shtetasi që transportonte lëndën narkotike porsa ka konstatuar që po e ndiqte policia ka braktisur kafshën e dorës dhe është larguar me shpejtësi duke përfituar nga terreni dhe errësira.
Shërbimet e Policisë Kufitare kanë kapur 1 kafshë ngarkese (kalë) i ngarkuar me 7 thasë, 5 çanta plasmasi dhe 2 qese plasmasi të zeza të mbushura me lëndë të dyshuar e llojit Cannabis sativa, me peshë 122 (njëqind e njëzet e dy) kg.
Sektori Kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër pas një pune profesionale në bashkëpunim me Policinë Kufitare bënë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të shtetasit S.I, si autor i dyshuar për transportin e lëndës narkotike.
Në përfundim të veprime të para hetimore, materialet në ngarkim të shtetasit S. I, me banim në një fshat të Njësisë Administrative Maqellarë, rrethi Dibër i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda për veprën penale “Trafikim i Narkotikëve”.
BW/d.i.