Rudolf Xhuliani ose siç njihet ndryshe Rudi Xhuliani, ish-kryetar i Bashkisë së Nju Jorkut, është tërhequr nga pretendimet për një post në administratën e Trump. Sipas raportimeve, ai ishte pretendent për postin e Sekretarit Amerikan të Shtetit.
Gjatë një deklarate, stafi i Trump është shprehur se Xhuliani informoi Presidentin e zgjedhur rreth tërheqjes së tij më 29 nëntor nëpërmjet një letre, por ky i fundit refuzoi të pranojë.
Por këtë të premte ish-kreu i Bashkisë së Nju Jorkut i kërkoi sërish Trumpit të heqë emrin e tij si një nga pretendentët për të qenë pjesë e ekzekutivit, dhe Presidenti i zgjedhur pranoi.
Në një deklaratë, Rudi Xhuliani tha se e mori një vendim të tillë për të mirën e vendit dhe administratës së re.
“Para se t’i bashkohesha fushatës isha shumë i përfshirë me sipërmarrjen private në fushën e drejtësisë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë punë me entuzizëm. Megjithatë shpresoj shumë që ta ndihmoj Trumpin në çdo mënyrë që t’i nevojitet në lidhje me sektorin privat”, është shprehur Xhuliani.
Ndërsa gjatë një tjetër deklarate, Trump e ka cilësuar Xhulianin si një mik të ngushtë të cilin ai do të vazhdojë t’i kërkojë këshilla.
ma.me