Ka disa politikanë europianë që refuzojnë të njohin degradimin, prej vitesh, të lidershipit të PD në një klan të korruptuar politik që nuk është i interesuar as për demokracinë dhe lirinë dhe për rrjedhojë as për integrimin europian të Shqipërisë. Madje disa prej këtyre politikanëve duket sikur besojnë se mund të ndikojnë në një realitet të tillë duke e paraqitur ndryshe nga ç’është. Një nga këta është edhe Eduard Kukan, eurodeputeti dhe raportuesi për Shqipërinë. Në një deklaratë të fundit, Kukan, pasi bëri të qartë rëndësinë e madhe të reformës në drejtësi për hapjen e negociatave me Shqipërinë, i bëri thirrje të gjithë klasës politike shqiptare, përfshi edhe lidershipin e PD, që të gjejë konsensusin për këtë reformë. Por pikërisht këtu Kukan shfaq verbërinë e tij. Sepse nuk shikon, ose bën sikur nuk shikon, se lidershipi i PD nuk ka asnjë prirje që të arrijë konsensus për reformën në drejtësi dhe, në fakt, ka dalë hapur kundër realizimit të kësaj reforme.
“Unë jam i bindur se ne të gjithë kemi të njëjtin qëllim, për ta bërë reformën sa më të mirë që të jetë e mundur” – deklaroi Kukan. Kjo nuk është e vërtetë dhe krejt larg realitetit shqiptar! Sepse lidershipi i PD dhe aleatë të tij, kanë kohë që kanë nisur një aksion për të bllokuar reformën në drejtësi. Ky është edhe qëllimi i dërgimit prej tyre në Gjykatën Kushtetuese të një kundërshtimi për ligjin e “Vetingut” dhe jo, sikundër e ekspozon me bindje Kukan, dedikimi për ta bërë reformën në drejtësi sa më të mirë. Vërtet që duhet respektuar e drejta e opozitës për t’iu drejtuar gjykatës por jo çdo referim ndaj ligjit ka synime të mira. Nuk duhet harruar se jo pak mafiozë e përdorin ligjin, klauzolat dhe procedurat e tij, për të zvarritur drejtësinë. Ekzistojnë dyshime të forta dhe të bazuara se Berisha po tenton të bllokojë ligjin e Vetingut, pra dhe reformën duke vënë në veprim delfinë të tij të infiltruar në Gjykatën Kushtetuese në sajë të ndikimit që ai kishte mbi drejtësinë sa kohë ishte në pushtet.
Nuk kuptohet, pas gjithë këtyre veprimeve që po merr PD kundër reformës në drejtësi, ku e gjen eurodeputeti Kukan bindjen se edhe lidershipi i kësaj partie është i interesuar për një drejtësi të pavarur. Dhe akoma më budallaqe shfaqet bindja e tij, po t’i referohesh të kaluarës jo vetëm 8 vjeçare në qeverisje por edhe asaj 25 vjeçare të lidershipit të PD. Nëse ky lidership do kish qenë vërtet i interesuar për themelimin e një drejtësie të pavarur në Shqipëri, ajo do të ishte realizuar qysh në dekadën e parë të tranzicionit dhe vendi nuk do të ishte zhytur në këtë kënetë të trafiqeve, korrupsionit dhe mafies si sot. Por, sikundër dëshmojnë fakte të shumta, Sali Berisha nuk ka qenë kurrë i interesuar për themelimin e një pushteti të pavarur drejtësie në Shqipëri. Që në mandatin e tij të parë si President i Republikës, ai është denoncuar me fakte si kapës i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si ideatori i “Kursit të Plepave” që shërbeu për të zëvendësuar gjykatësit partiakë të PPSH me ata të PD, si autokrati që keqpërdori prokurorë kundër opozitës politike, deri edhe për plasjen në burg të ish-liderit të saj.
Por nëse në mandatin e parë dhe të dytë si President, epshi për kapjen e drejtësisë dhe shndërrimin e saj në një vegël të tij i vinte Berishës nga natyra e tij prej autokrati, në mandatin e tretë si kryeministër ky epsh u fuqizua edhe nga nevoja aq ai ka për t’i shpëtuar ndëshkimit për korrupsionin e tij dhe të qeverisë së tij. Është pikërisht kjo frikë që e ka mobilizuar Berishën të dalë kundër reformës në drejtësi dhe, posaçërisht, kundër ligjit të “Vetingut” që synon, krejtësisht ndryshe nga praktika e tij e “Kursit të Plepave”, të themelojë një pushtet drejtësie me gjyqtarë dhe prokurorë që nuk e marrin licencën e profesionit nga liderë autokratë dhe të korruptuar si Sali Berisha.
Natyrisht që luftën e tij kundër reformës në drejtësi Berisha dhe klouni i tij Basha, do ta maskojnë me gjoja merakun për të mos lejuar që drejtësia të kapet nga PS dhe Edi Rama. Por tashmë kjo është një përrallë që e besojnë vetëm fanatikët e Berishës. Se si një forcim i rolit të ndërkombëtarëve në procesin e emërimit dhe kontrollit të pasurisë dhe pastërtisë së gjykatësve dhe prokurorëve, realisht e vetmja mënyrë e krijimit të drejtësisë së pavarur në Shqipëri, të jetë në favor të PS, Ramës, apo kujtdo lideri apo partie tjetër, këtë vetëm mendja pjellore e intrigantit Berisha mund ta gjejë.
Por Berisha është mësuar që t’i akuzojë kundërshtarët për të gjitha të ligat që i bën vetë. Ka kapur drejtësinë dhe akuzon kundërshtarët se duan ta kapin atë, toleron piramida financiare dhe akuzon se i themeluan socialistët, armatos paramilitarë për të mbajtur pushtetin me dhunë dhe akuzon opozitën për revolucion me dhunë, i fal detin Greqisë dhe akuzon qeverinë se po prish marrëdhëniet me Greqinë, toleron kanabisin për vite me radhë dhe sapo del në opozitë, zë ulërin për “kanabizimin”, e lë arkën e shtetit të mbytur në borxh dhe pa asnjë lek, deri edhe për rrogat e punonjësve, dhe sokëllin “i shqetësuar” pse qeveria merr borxh, bën korrupsion me privatizimin e CEZ dhe akuzon kundërshtarët për këtë korrupsion, nuk jep konsensus për reformën në drejtësi dhe fajëson qeverinë për mos hapjen e negociatave pikërisht se nuk ecën reforma në drejtësi!
Rrallë ndonjë politikan ka tentuar si Berisha të përdorë korrupsion, keqqeverisjen e tij si armë për të luftuar kundërshtarët e tij. Dhe kjo është bërë e mundur edhe pse në Shqipëri, në sajë edhe të një investimi të palodhur të vetë autokratit Berisha, nuk ka pas kurrë një drejtësi të lirë që të ndëshkojë korrupsionin e qeverisjeve të saj në këto 25 vjet tranzicion ndër të cilat, nja 15 vjet i përkasin lidershipit të PD dhe Berishës vetë.
Të gjithë ndërkombëtarët, europianë dhe amerikanë, janë në dijeni të këtij dedikimi dhe bilanci antidrejtësi të politikanit Sali Berisha. Prandaj nuk mund të mos habitesh kur dëgjon eurodeputetin Kukan të shprehë bindjen se qëllimi edhe i Berishës dhe lidershipit të PD që sundohet akoma nga ai, është një reformë sa më e mirë në drejtësi. Një “diplomaci” për të mos thënë të vërtetën? Por a nuk prodhojnë të vërtetat e pa thëna, sikundër thoshte Ruso, ca helme shumë të rrezikshme për të ardhmen e një shoqërie?/Gazeta Dita –