Nuk ka vend për panik, por edhe për neglizhencë, sipas specialistit të njohur të policisë dhe deputetit të PS. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se ka një frymë që s’duhet parë kalimthi dhe e pa vlerësuar, shprehet ai për “JAVA”. Ndoshta është sinjali i një organizimi të mirëfilltë, që ka si shkak shkatërrimin e ekonomisë kriminale te hashashit dhe po përdor metodat e ISIS dhe ndaj duhet të merret shumë seriozisht…
Nga Ben Andoni
Specialisti i policisë është disi i mëdyshuar për ato që ndodhën ditët e fundit, kur një nga ushtarakët e RENEA-s mbeti i vrarë në Lazarat prej armëve të një bande. Dhe mëdyshja e tij lidhet me situatën e këtyre ditëve, por edhe reagimin e bandës në Gjirokastër, që mendon se nuk ka rrënjë të thella, “por as nuk them se duhen parë kalimthi e pa i vlerësuar. Ndoshta është sinjali i një organizimi të mirëfilltë, që ka si shkak shkatërrimin e ekonomisë kriminale të hashashit dhe përdor metodat e ISIS”, thotë ai.
…
Pjerin Ndreu do të mbahet mënd në analet e institucionit të tij, pasi në një situatë të tillë, mbase edhe shumë më të rëndë, e vendosi rendin për vetëm pak kohë në Tropojë. Atëkohë, pa shumë mbështetje, si është tani, por me shumë vendosmëri, ai mundi që në pak ditë të vendoste një regjim gati ushtarak në qytetin, që mëtonte se ishte i pavarur prej autoritetit qendror dhe vetëm sfidonte rendin…Shumë kohë më vonë, ai nuk është më në krye të kupolës së policisë së shtetit, por si politikan ka shumë për të thënë se pse bandat u aktivizuan pikërisht tani dhe a mendon se ka skenarë për të mos lënë Shqipërinë në situata normale. Nuk është se i druhet shumë përgjigjeve direkte, por nga ana tjetër është i bindur se gjërat s’janë aq normale sa duan të thonë disa njerëz.
“Eshtë reagimi i një grupi që i është shkatërruar ekonomia kriminale. Është reagim i pritshëm. Kjo ka ndodhur në të gjithë botën. Fakti që janë rikthyer me armatim, të organizuar, si simpatizantë të ISIS-it dhe me goditje e viktima në radhët e policisë është alarmant. Problemi do parë më me kujdes dhe një grup pune me pjesëmarrës nga policia, prokuroria, SHISH duhet të merret me seriozitet me këtë situatë. Politika duhet të gjejë konsensus në ndërmarrjen e veprimeve kundër krimit e jo të jenë dy rryma të ndara, pasi pasoja është e rëndë e duhet edhe ekuilibri mes Pozitës dhe Opozitës në këto çështje delikate”.
Shqetësimi për bandën, armët dhe… ISIS
Për publikun, më shumë se reagimi i politikës, ka qenë shqetësim sofistikimi i bandës dhe arsenali i armëve të tyre, por më shumë se kaq, edhe fakti që armët mund të gjenden në Shqipëri, pa asnjë problem. Në rastin tonë armët e djemve të bandës, që për fat të keq, janë të gjithë në moshë fare të re, tregon se Shqipëria nuk ka aq kontroll mbi tregun e zi të armëve, njerëzit që i posedojnë ato dhe s’mund të ndalojë për momentin lirshmërinë, për t’i gjendur ato nga elementët kriminalë. A janë realisht të frikshme për situatën e rendit, armët që qarkullojnë në vend dhe lehtësia për t’i gjetur ato?-e pyesim z.Ndreu.
“Sigurisht që janë. Nëse goditet punonjësi i shtetit nga persona të armatosur është një shkak për të mbjellë frikë te kushdo. Por nuk është vendi me vënë alarmin se situata është jashtë kontrollit. Ka mundësi që të përmirësohet situata. Sot, të gjithë duhet të jenë në mbështetje të policisë së shtetit, e cila është goditur. Duhet inkurajuar që të vazhdojë e të kapen autorët. Të gjithë duhet ta bëjnë këtë”.
Kuptohet se ky konstatim është i vërtetë, por në masën, që vendi është i administruar në çdo centimetër dhe që ka realisht rezultate, kundër krimit. Por kur elementët e ISIS-it po na kërcënojnë me shumë përfaqësues dhe që duken në disa vende apo në reagime të ndryshme në Shqipëri, dhe që kulmuan së fundmi në Lazarat, tregon se realiteti i tyre ka rrënjë të thella! Dhe, për këtë s’ka më detyrë lufte vetëm policia por e gjithë struktura e sigurisë kombëtare të vendit. Jo thjesht për faktin se Shqipëria ka marrë kërcënime direkte prej tyre, por për elementin se rekrutimet e tyre kanë qenë të pranishme para syve të të gjithëve.
“Shfaqja e një fenomeni të tillë e bën pra akoma më të komplikuar situatën. Le të shpresojmë se janë shfaqje adoleshentësh e simpati pa asnjë organizim të mirëfilltë. Por kjo nuk duhet nënvleftësuar. Ne jemi një vend, që jemi në objektin e goditjes nga ISIS-i për shkak të qasjes tonë në luftë kundër tyre. Nuk mendoj se ka rrënjë të thella, por as nuk them se duhen parë kalimthi e pa i vlerësuar. Ndoshta është sinjali i një organizimi të mirëfilltë, që ka si shkak shkatërrimin e ekonomisë kriminale të hashashit dhe përdor metodat e ISIS-it”.
Për fat të keq s’kemi ende reagime të thella për situatën e krijuar dhe pasojat e ndikimit të ISIS-it, por një kërcënim i pak kohëve më parë prej tyre direkt, shumë individë me një gjeografi të përzierë nga vendi që janë përzierë me të, atëherë të bën të mendosh se Shqipëria shpejt do të përballet me realitete që s’do jenë aq të këndshme për të. Të mos harrojmë se vazhdon ende gjyqi i disa eksponentëve fetarë që akuzohen direkt se kanë përgatitur rekrutimin e njerëzve dhe në seancat e fundit, ata jo vetëm nuk kanë shfaqur pendim, por kanë filluar të mbrohen me ajete kuranore, fakt që të bën të besosh se jemi përballë realiteteve që nuk duhet të neglizhohen.
Një shqetësim tjetër është fryma e nëndheshme që ndikon dhe ende nuk po zbulohet prej mobilizimit të shumë njerëzve nën ISIS-in në Evropë dhe në Ballkan. Ashtu si edhe krijimi për një periudhë gati një vjeçare e dy bandave, që janë përplasur pa asnjë frikë me shtetin. Të jetë një thirrje për sfidë, apo është thjesht një reagim për atë që i është prishur një burim i mirë, siç ishte çmimi i hashashit që vinte nga Lazarati?! Për këtë s’ka përgjigje.
Veçse në Shqipëri nuk është vetëm Lazarati prodhues. Janë zbuluar, zbulohen dhe patjetër do të zbulohen kudo sipërfaqe të mbjella me të, që do të thotë se kultivimi i narkotikëve është një kulturë jete, e cila ka zënë vend dhe që nuk do t’ia dijë për privacionet, që i krijon shteti. Ndaj, sikleti bëhet më i madh kur ndjen se një frymë negative, vazhdon, atje ku shteti ka dështuar në politikat sociale për të prodhuar punë dhe jetë normale…
A duhet të jemi fort me policinë!
Në këtë situatë të krijuar, më së shumti prej menaxhimit jo të mirë të vendit, tolerancës së krimit, roli i policisë është vërtetë i madh. Dhe tani s’ka më vetëm nevojë për dorën e policisë, por duhen të gjitha hallkat e shtetit, që tashmë prehen dhe dëgjojnë vetëm lajmet e policisë. Por a ka arritur policia e vetme t’ia dalë?
Si e vlerëson rolin e policisë shqiptare në të gjithë procesin për eliminimin e bandës në Lazarat, Ndreu? “Është i vetmi institucion që po spikat në këtë vend. Policia e shtetit deri më sot është përballur me këdo e në çdo situatë. Ka lënë dëshmoret e saj. Por ka ardhë koha që të riformatohen politikat antikrim. Kjo faturë nuk mund ti lihet vetëm policisë së shtetit e të tjerët të bëjë sehirxhiun. Duhen politika sociale dhe ekonomike, masa edukuese, përmirësim të sistemit të drejtësisë, forcim të administratës së shtetit që gjërat të ecin në rrugën e duhur”.
Në ditët e fundit, ajo që nuk është thënë prej kohësh, doli sërish në sipërfaqe në këto momente. Për këtë e ripyesim specialistin e njohur: Ju duket se procesi i integrimit të të rinjve dhe krijimi i modeleve pozitive mund të jetë një shembull, që t’i heqë të rinjtë nga rruga e keqe? “Po sigurisht. Duhen masa sociale. Masat duhet të investohen në aspektin parandalues e duhet të fokusohen me seriozitet në tre institucione sociale, familje , shkollë dhe lagje. Duhet sistem më i organizuar në luftë kundër krimit e me pjesëmarrjen e të gjithë aktorëve”
Të gjithë i thonë, para situatave të tilla, por njerëz të policisë si Ndreu e dinë mirë se gjërat kanë pak gjasa të ndryshojnë, sepse njerëzit që merren me politika sociale dhe OJQ-të i janë nënshtruar retorikave, që nuk të përcjellin askund. Ah, ndoshta vetëm te ngritja e duarve lart, para situatave të tilla, që asnjëherë nuk kanë zgjidhje. Sfida, duket se sapo ka filluar. A do mundet vallë Shqipëria të dorëzohet para të keqes?!