Në parlament ka edhe momente kur deputetët lirohen nga kostumi zyrtar dhe kanë kohë të shkëmbejnë edhe përshëndetje apo biseda me njeri-tjetrin. Ka nga ata që mbajnë shënime, ose ata që duan ta shohin parlamentin nga lart për njëherë të vetme.
Në fotot e siguruara nga BalkanWeb, duket se deputeti demokrat Astrit Patozi ka vendosur të heqë dorë sot nga qëndrimi në karrigen e tij pranë grupit parlamentar të PD. Ai është zhvendosur në lozhë nga ku po ndjek seancën.
Ndërsa ish-kryeministri Sali Berisha duket se ka zënë karrigen e deputetit Flamur Noka pas përjashtimit të tij për 10 ditë nga parlamenti për shkak të gjuhës së përdorur në komision.
Nga ana tjetër, deputeti Ben Blushi është i vëmendshëm gjatë fjalës së kryeministrit Edi Rama dhe mban shënime, për ato çfarë do të flasë. “Dembeli”, “I paaftë”, “Libra” janë disa nga fjalët e shkruara në shënimet e Blushit.
Kurse deputetët socialistë nuk duken aq të vëmendshëm kur flet shefi i tyre, pasi të gjithë e kanë kokën në celular.
Pavarësisht seancës intensive, deputeti Tom Doshi i përjashtuar nga grupi i PS, shkëmben një bisedë të ngrohtë me ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, i cili shihet duke qeshur. Pranë tyre duket edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri, që po ashtu është duke qeshur.
“Negociata” me sa duket po zhvillohen edhe brenda seancës për ligjin e mbetjeve, pasi Vangjel Dule shihet pranë deputetit socialist Eduart Shalsi.