Përveçse kursejnë në faturën e energjisë elektrike, familjet dhe bizneset që do të instalojnë panele diellore tani mund të shndërrohen edhe në prodhues energjie.
Ligji i ri parashikon sesi këto konsumatorë mund t’i shesin kompanisë së shpërndarjes, sasinë e tepërt të energjisë që prodhojnë përmes paneleve diellore, por që nuk arrijnë ta konsumojnë.
“Për shkak të hapjes së tregjeve, panelet janë kthyer në vlera të ulëta. Pra, me një investim minimal ty të reduktohet në 0 fatura e energjisë, por ka edhe raste kur përfiton, sepse t’i mund të prodhosh më shumë sesa ke konsumuar. Për këtë do të jepet një çmim me interes për konsumatorin. Ka disa mënyra, bëhet zbritje mujore ose vjetore, bëhet bilanci, do të zbritet në faturën pasardhëse”, tha Entela Çipa, ministria e Energjisë dhe Industrisë.
Kjo teknologji është e leverdishme, veçanërisht për zonat e jugut, ku rrezatimi është edhe më i lartë.
“Energjinë e prodhojmë në veri dhe e konsumojmë shumë gjatë verës në jug. Ka projekte që nisin nga institucionet publike, shkollat e spitalet, dhe ndikojnë në uljen në rrjet. Do të përpiqemi në 2017-n të nisim një projekt pilot në jug”, tha Entela Çipa.
Ministria thotë se, me leverdi do të ishte edhe për njësitë prodhuese të hotelerisë dhe bizneset e vogla, që konsumojnë energji gjatë ditës. Ligji parashikon procedura të lehtësuara për lidhjen e tyre me rrjetin dhe pajisjen e konsumatorëve me matës që funksionojnë në dy drejtime, prodhim dhe konsum energjie./tch/a.k