Trajneri Gianni De Biasi nuk ka komentuar vendimet e arbitrit Aytekin, i cili dha dy penallti për Izraelin, shoqëruar me po aq kartonë të kuq për Shqipërinë.
“Unë nuk dua të kapem pas vendimeve të arbitrit. E kisha thënë që në përpara që do të ishte një ndeshje e vështirë ndaj një kundërshtari shumë të fortë, por sigurisht ai gol i parë, pra penalltia e dhënë dhe kartoni i kuq influencuan në rezultatin e ndeshjes. Pas penalltisë së dytë dhe kartonit të dytë të kuq forcova sulmin për të bërë diçka. Por mua sot skuadra më pëlqeu më shumë me 9 dhe 10 vetë sesa me 11 lojtarë. Nuk është kjo ndeshja më e çuditshme e karrierës time. Sot sfida u zgjidh nga episodet, të cilat nuk ishin në favorin tonë. Por edhe ne kishim fajet tona në këtë humbje që pësuam sepse mund të kishim bërë më mirë në rastin e penalltisë së parë, por edhe gjatë ndeshjes në tërësi”, tha De Biasi për Supersport.
ss/d.i.