Marrëveshja Detare midis Shqipërisë dhe Greqisë, e firmosur nga dy qeveritë në Tiranë më 27 prill 2009 dhe rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në 15 prill 2010, është rikthyer sërish në vëmendje. Sot në parlament, ish-kryeministri Berisha dëshmoi edhe një herë se për të ka qenë dhe është më i rëndësishëm pushteti personal sesa intersi kombëtarë. Ai i sugjeroi publikisht Athinës zyrtare të shkojë në Arbitrazh apo në gjykatat e detit, duke dëshmuar në këtë mënyrë se në thelbin e marrëveshjes së firmosur nga kryetari aktual i PD, Lulzim Basha, ka qenë vetëm pushteti i tij personal dhe qëndrimi në fron si kryeministër. Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha akuzoi kryeministrin Rama se e dërgoi marrëveshjen e detit në Kushtetuese për llogari dhe para të një pale të tretë.
“Detin në gjykatë e çoi Edi Rama, nuk e çuam ne, e çoi Edi Rama për llogari dhe para të palës së tretë. Unë edhe pse dija çdo gjë për këtë përsëri palës greke i them zotëri qeveria shqiptare është e detyruar të respektojë vendimin e gjykatës. Po të doni shkoni në arbitrazh, në gjykatat e detit, janë dy.”- deklaroi Berisha, duke nënvizuar në këtë mënyrë se intersi kombëtar për të është i fundit.
Si gjatë negociatave, por edhe mbas firmosjes së marrëveshjes më 27 prill 2019, disa shtete partnere të interesuara, si SHBA, Turqia dhe Italia dhanë mesazhe të qarta se marrëveshja nuk ishte bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Nga ana e Shqipërisë dhe Greqisë, kjo marrëveshje u mbajt e fshehtë jo vetëm në termat e saj teknikë, por edhe për faktin që ishte duke u negociuar. Disa ditë përpara se marrëveshja të firmosej, pakti u denoncua nga mediat.
Rikthimi në vëmendje i marrëveshjes së paktit detar me Greqinë, vjen në një kohë kur mes dy vendeve kanë shpërthyer replika lidhur me shembjen e banesave të minoritarëve grekë në Himarë. Pak ditë më parë, Athina zyrtare kërcënoi me bllokim të procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në BE, ndërsa kryeministri Rama i kujtoi fqinji jugor se ka ikur koha kur i pasuri i tregon arat të varfrit.
Ahmetaj-Berishës: Kush është pala e tretë?
Ministri Ahmetaj iu përgjigj ish-kryeministrit Berisha për paktin detar me Greqinë, duke theksuar se është krenar që firmosi kërkesën për rrëzimin e marrëveshjes në Kushtetuese. Ministri i Financave i kërkoi Berishës që të tregojë se kush është pala e tretë që pretendon se ka patur interes në rrëzimin e paktit detar.
“Unë jam një nga deputetët që kam firmosur për marrëveshjen e detit. Jam krenar që e kam bërë dhe që gjykata e rrëzoi atë marrëveshje. Si ka mundësi të ketë palë të treta. E para dhe mbi të gjitha do duhet të thotë kush është pala e tretë. Të vish të bërtasësh në një ditë si kjo vetëm për të larguar vëmendjen nga një arritje e popullit shqiptar është antikombëtare.”- deklaroi Ahmetaj.
ma.me