“Smajl”, është dokumentari që tregon historinë e familjes Hoxhaj, e cila qysh në vitet ’70 migroi në Gjermani. Personazhi kryesor i këtij dokumentari është Ismajl Hoxhaj i cili kishte shkuar në Gjermani për të blerë një magnetofon, por që rrethanat e asaj kohe e detyruan në njëfarë mënyre të qëndroj e ta marrë gjithë familjen.
Ky film dokumentar ka për regjisor Philipp Majer, një shok i ngushtë i familjes Hoxhaj, i cili në bashkëpunim me vajzën e personazhit kryesor, Zymryte Hoxhajn, ra dakord që ta bëjnë këtë film dokumentar. Në një rrëfim për KultPlus, vetë Zymryte Hoxhaj rrëfen për dokumentarin e xhiruar në Kosovë.
“Në këtë film dokumentar bëhet fjalë për jetën dhe veprën e babit tim, i posa ardhur në Gjermani, shtet atëherë në rizhvillim ku kishin migruar shumë njerëz nga Ballkani, i cili u përball me shumë vështirësi”, ka thënë Hoxhaj për KultPlus. Ajo ka shpjeguar më pas se në këtë dokumentar janë përfshirë edhe zhvillimet politike me të cilat janë përballur shqiptarët në atë kohë, si dhe lëvizjet e aktivitetet e diasporës.
“Në film është përfshirë edhe përditshmëria jonë si fëmijë, si jemi rritur në një ambient të huaj dhe adaptimi me jetën në Gjermani, duke pasur parasysh se vinim nga një kulturë krejt tjetër”, ka thënë Zymryte Hoxhaj. Sipas saj, në këtë dokumentar është edhe pjesa tjetër, ku prindërit kthehen përgjithmonë në Kosovë duke i lënë fëmijët të jetojnë në Gjermani, ku edhe kanë ndërtuar karrierën dhe jetën e tyre.
Ky dokumentar nuk përmban vetëm një temë, ai prek shumë çështje, aty tregohet jeta e një emigranti klasik kosovar. Dokumentari sipas autores Zymryte Hoxhaj është reprezentativ për shumë familje që në atë kohë kanë shkuar në Gjermani. «I vetmi fakt që e dallon historinë e babait tim nga të tjerët është se ai ka ardhur për një magnetofon», theksoi ajo.
Për Zymryten është hera e parë që realizon një film dokumentar dhe, siç tha ajo, e fundit. Ajo është dizajnere dhe punon në tjetër mënyrë në projekte filmike, jo si realizuese apo autore. Sipas Hoxhajt, ende nuk është caktuara data e saktë se kur do të shfaqet, gjithsesi premiera e tij do të jepet në Saarbrücken ne Gjermani, pasi që është financuar nga Instituti i Medieve të këtij vendi. Premtimi i Zymryte Hoxhajt është se filmin do ta dërgojë nëpër festivale të ndryshme, ndërsa në Kosovë do ta sjellë vitin e ardhshëm.