Prokuroria Speciale Shtetërore e Malit të Zi me anë të komunikatës njoftoi se grupi prej 20 shtetasve serbë ngarkohet për dy vepra kriminale, ndër të cilat është plani për rrëmbimin e kryeministrit Milo Gjukanoviq.
“Ekzistojnë dyshime të bazuara se nga fillimi i tetorit në Serbi dhe Mal të Zi është formuar organizatë kriminale me qëllim të ndikimit mbi pushtetin ligjdhënës dhe ekzekutiv në Mal të Zi.
Dyshohet se plani i kësaj organizate ka qenë që në kohën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, me përdorim të armëve t’i sulmojnë qytetarët e tubuar para Kuvendit të Malit të Zi dhe nëpunësit e Drejtorisë së Policisë, e pastaj të pushtojnë hapësirat e Kuvendit, me qëllim që të shpallin fitoren zgjedhore të partive të caktuara politike”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë që e transmetoi Radio-televizioni shtetëror.
Gjithashtu, thuhet më tej në komunikatë, “dyshohet se plani i organizatës kriminale ka qenë privimi nga liria i kryeministrit të Malit të Zi”.
Sipas Prokurorisë, organizatori i grupit, ish-drejtori i Xhandarmerisë serbe Branisllav Dikiq, të shtunën herët në mëngjes ka ardhur në Mal të Zi me qëllim të realizimit të mëtejshëm të planit kriminal dhe komandimit me personat e armatosur me qëllim të pushtimit të Kuvendit dhe institucioneve tjera shtetërore. /Lajmi.net/a.k