Kryeministri Rama ka zgjedhur që komunikimin e javës në rrjetin e tij social t’ja dedikojë vizitës së tij në Serbi dhe debateve që prodhuan deklaratat e tij në përballjen me Vuçiç, për marrëdhënien e Serbisë me Kosovën.
Kryeministri Rama ka folur për rrëzimin e politikës së vjetër, ku populli shqiptar dhe ai serb qëndronin “kurrizm më kurriz” si dy armiq të përbetuar. Zgjidhja për kryeministrin, është një qasje e re, ajo me “fytyrën përballë”, në një rajon ku dy popujt më të mëdhenj janë shqiptarët dhe serbët.
Kryeministri u shpreh se është në bindjen e tij që sa më shumë shqipëria t’i flasë Serbisë “Troç” për Kosovën, aq më mirë është dhe aq më shpejt do të rrëzohen barrierat e së shkuarës.
“…ajo cfarë na ndan prerazi, qëndrimi diametralisht i kundërt ndaj pavarësisë së Kosovës, nuk na pengon që të komunikojmë për atë që na bashkon, rruga e përbashkët në integrimin europian dhe interesat reciproke në fuqizimin e ekonomisë. Lejomëni të ndaj bindjes se sa më shumë Shqipëria i flet troc Serbisë për Kosovën… aq më shumë mitet dhe ideologjitë e së shkuarës në atë vend, bien në vështirësi për të ushqyer qytetarët e atij vendi.”
Tregu ynë i vogël, ai i shqiptarëve, është ende i ndarë në dysh mes Shqipërisë dhe Kosovës. Zgjedhja për ne është e qartë, ose të jenë të ndarë serbët, me kurrizin e kthyer, edhe pse jemi dy popujt më të mëdhenj në vend, ose të kthehemi me fytyrë nga njëri tjetri… dhe duke u kthyer nga interesi, për të fuqizuar shoqërinë tonë… ne duhet të komunikojmë me ta dhe pa komplekse…”– tha Rama.
Por nuk ka munguar dhe një kthim- përgjigje nga ana e kryeministrit për një sërë kritikash të artikuluara nga Kosova zyrtare dhe nga gazetarë si Berat Buzhala, të cilët hapur janë shprehur kundër “ndërhyrjes” së Ramës në çështjet “Kosovë- Serbi”.
“…vijimi në kohë paqeje i rrugës së vjetër Kurriz më kurriz, prodhon më shumë konkurrencë politike për patriotizëm në thonjëza brenda nesh… dhe nuk sjell asgjë të re për ekonominë dhe shoqërinë tonë që vazhdon t’i paguajë të shkuarës taksën më të lartë nga të gjitha taksat.
Rruga e re, ajo me “fytyrën përballë njëri tjetrit” i rrezikon punën dhe karrierën atyre që patriotizmin në thonjëza e kanë profesion dhe konfliktin për flamur e atdhe e kanë mënyrë jetese, por është e vetmja rrugë për të siguruar paqe e prosperitet për të ardhmen e tyre.
Ne shqiptarët ndonjëherë duket sikur e kemi harruar se luftën me Serbinë e kemi fituar… kjo është vërtetë për të ardhur keq, ashtu siç, kemi mes shqiptarëve, që nuk e kuptojnë se dialogu i Shqipërisë me Serbinë nuk është vetëm përmasë e të jetuarit në një botë të re me Kosovën… por është dhe e vetmja rrugë për të mbrojtur interesat ekonomike.”- ka shtuar kryeministri./java/a.k