Drejtori i Zyrës për Kosovën, Marko Gjuriç ka mbajtur konferencën e jashtëzakonshme për media pas të cilën e kishte paralajmëruar pas miratimit të Ligjit për Trepçën.
Ai ka thënë se Serbia do të kërkojë takim urgjent me Këshillin e Sigurimit të OKB-së për, siç ka thënë, konfiskimin e pronës serbe dhe shkeljes së rezolutës 1244.
“Unë sugjeroj një takim urgjent me Këshillin e Sigurimit të OKB-së për shkeljen e Rezolutës 1244”, ka thënë Gjuriç, transmetojnë mediat serbe.
“Nëse nuk doni që kjo të bisedohet në Bruksel, atëherë kjo do të diskutohet në OKB. Trepça është themeli i ekzistencës sonë në Kosovë”, tha ai më tej.
Ai ka thënë se vendimi i Kuvendit nuk është i vlefshëm për Qeverinë, bizneset dhe qytetarët e Serbisë. Për më tepër, vendimi i institucioneve në Prishtinës siç i quan Gjuriç, është përpjekje për një spastrim etnik të serbëve në Kosovë. (b.an)