Nga Bledi Lumani
“Nga nxitimi për tek protesta kundër plehrave, i hodhën mbeturinat nga ballkoni”.
Kështu shkruante një miku im me humor, për protestën e sotme, e cila përmban gjithë ironinë e një vendi që proteston kundër plehrave, ndërkohë që vetë s’dinë nga dhe ku i hedhin plehrat.
Për kauzën e ngritur, protesta ishte shumë e vakët.
Përballë një rreziku të tillë të madh, siç kanë evidentuar aktivistë të shoqërisë civile, përpara Kryeministrisë vërshuan vetëm disa qindra qytetarë.
Mediat pranë PD-së, kryetari, deputetë dhe aktivistë të saj saj, e pompuan për ditë të tëra këtë protestë.
Dhe kur panë që në mos zhgënjyese, ajo ishte larg pritshmërive të tyre, filluan të kërkojnë fajtorët.
Në fillim bënë përgjegjës Ramën, se iu mori vëmendjen shqiptarëve me fjalimin e tij në Asamblenë e PS-së.
Më pas bënë fajtor trajnerin e Kombëtares, Xhani De Biazi, se mbajti konferencën e tij të shtypit në të njëjtën orë që mbahej protesta.
Pastaj iu turrën televizioneve, pse nuk jepnin me zë protestën.
Të gjitha justifikime qesharake!
Në fakt, nëse do të kishte një frymë proteste në këtë vend, atë s’do kishte Ramë e De Biaz që ta ndalte.
Por, kur në një protestë për një kauzë shumë serioze, siç është ajo e importit të plehrave, bashkohen një laramani interesash dhe njerëzish, që vetëm me qëllimin e protestës nuk kanë lidhje, ajo është e destinuar të dështojë.
Aty ishin bashkuar nga ekstremistët e majtë, që janë kundër çdo gjëje, tek “protestuesit” me pagesë të PD-së, duke filluar nga Altin Goxhaj.
Nga ish-“aktivistët” si Besjan Pesha, tek deputetët që vetëm pak vite më parë, kishin votuar një ligj shumë herë më të rëndë për importin e mbetjeve.
Nga “ambientalistë” të përdorur nga pushtetet, tek të rinj që presin të vijë partia e radhës në pushtet për një vend pune.
Ndaj dhe atyre qytetarëve që kishin dalë si qytetarë në protestë kundër rrezikut të importit të mbetjeve, nuk iu bashkuan ata mijëra apo qindra mijëra njerëz që janë realisht të shqetësuar për këtë çështje.
Përderisa protestat nuk çlirohen nga këto “mbetje”, Rama do ta bëjë gjumin e qetë!
Dhe do qeshë natyrisht, kur dëgjon argument të tilla, se protestat në këtë vend dështojnë se në televizor del ai apo De Biazi dhe njerëzit janë duke parë në televizor ata dhe jo protestat!
A thua se protestat bëhen në televizor, dhe jo në shesh.
Njerëzit e pakënaqur dalin në shesh të protestojnë, nuk qendrojë para televizorit.
Por për të dalë duhet t’i drejtojë dikush.
Dhe ai nuk mund të jetë Besian Pesha apo Altin Goxhaj!