Një pajisje e dytë akseleratori linear pritet të vendoset pranë Shërbimit të Onkologjisë në QSU “Nënë Tereza”, duke sjellë kështu trajtim të më shumë pacientëve, si dhe përmirësim të ndjeshëm të shërbimit të radioterapisë për të sëmurët me kancer.
Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, gjatë takimit dypalësh të zhvilluar pasditen e djeshme me Yukiya Amano, Drejtor i Përgjithshëm i ANEA-s (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike,International Atomic Energy Agency – IAEA), në kuadrin e zhvillimit të punimeve të sesionit të 60-të të Konferencës së Përgjithshme të kësaj Organizate, ka theksuar se gjatë viteve të fundit në Shqipëri janë realizuar një sërë investimesh të rëndësishme në sektorin e shëndetësisë, sidomos sa i përket radioterapisë.
Duke shprehur urimet për përvjetorin e 60-të të Agjencisë dhe duke e përgëzuar Drejtorin e Përgjithshëm për punën e përkushtuar në drejtimin e ANEA-s, kreu i shëndetësisë ka pohuar se Ministria e Shëndetësisë ka parashikur një buxhet prej 700 mijë eurosh, të cilat i shtohen kontributit prej 800 mijë eurosh të ANEA-s, për financimin e vendosjes së aparaturës së dytë bashkëkohore të akseleratorit linear pranë shërbimit Onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.
“Kur të dy Akseleratorët Linearë do të jenë plotësisht funksionalë, pacientët shqiptarë që vuajnë nga kanceri do të kenë mundësi të përfitojnë nga shërbimi i ofruar nga teknologjia më e fundit që përdoret sot në botë për trajtimin me shërbimin radioterapie. Avantazhi i vënies në punë të dy pajisjeve në vend të vetëm një akseleratori linear në Spitalin “Nënë Tereza” qëndron në faktin se, tashmë, kujdesi ndaj pacienti nuk do të ndërpritet nga procesi i mirëmbajtjes apo avaria e ndonjërit prej këtyre pajisjeve, pasi pacientët mund të transferohen lehtësisht për të përfituar shërbimin e ofruar nga njëra pajisje në tjetrën. Gjithashtu, numri i pacientëve që kanë nevojë të trajtohen nga kjo pajisje mund të rritet në varësi të rritjes së kërkesave për shërbimet e ofruara nga dy Akseleratorët Linearë,” ka pohuar Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj.
Gjatë bisedës kreu i shëndetësisë ka pohuar se falë bashkëpunimit me ANEA-s, sot vendi ynë ka një qendër të re moderne të radioterapisë si dhe një shërbim modern të mjekësisë bërthamore. Ministri Beqaj ka ftuar z. Amano të vizitojë vendin tonë dhe të shohë nga afër investimet e bëra në Shërbimin e Radioterapisë, falë mbështetjes së ANEA-s.