Prokuroria e Tiranës, sekuestron llogaritë bankare të kompanisë fituese të tenderit të uniformave të policisë së shtetit.
Sipas Prokurorisë, është kërkuar në gjykatë sekuestrimi i llogarive bankare të kësaj kompanie, pasi dyshohet se ka konsumuar dy vepra penale, atë të “mashtrimit” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Për këto dyshime, është kërkuar bllokimi i llogarive bankare deri në një vendim tjetër pasi rezulton se ka përfituar një shumë të konsiderueshme parash si detyrim për prodhimin e uniformave dhe veshjeve të tjera special për policinë e shtetit.
Veç llogarisë, prokuroria ka kërkuar edhe sekuestrimin e dosjes së kompanisë pranë Qendrës së Regjistrimit të Bizneseve, me dyshimin e dorëzimit pranë QKR të shkresave të falsifikuara.
Prokurorët gjithashtu kanë kërkuar nga Ministria e Brendshme t’i vërë në dispozicion të gjithë dosjen për tenderin e uniformave të Policisë së Shtetit, kontratën mes policisë dhe kompanisë shqiptaro-turke të dhjetorit të 2015 si dhe letër-këmbimet shkresore mes tyre.
Hetimet për dosjen në fjalë, kanë nisur pak muaj më parë pas publikimit në media të disa të dhënave, që ngren dyshime se me tenderin e uniformave është abuzuar.
Për këtë fakt, Prokuroria ka sekuestruar dhe administruar disa prova shkresore, ku provohet tashmë se kompania shqiptaro-turke është shpallur fituese pa çertifikatën e cilësisë.
Veç kësaj, në dosje thuhet se uniformat janë prodhuar në Turqi, ndërsa Prokuroria nuk ka gjetur ndonjë shkresë apo provë në dogana që faktojnë hyrjen e tyre brenda territorit shqiptar, duke ngritur dyshime se kemi të bëjmë me falsifikim ose kontrabandë.
Për këtë dhe të tjera dyshime, prokuroria po heton anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që shpallen fitues kompanin Marsi & AL” dhe “Yakupoglu Tekstil” për dizajnimin dhe qepjen e 27 mijë e 900 copë uniformave të ndryshme të policisë./ABC News/a.m.