Eduard Zaloshnja
Në bllokun ku banoj unë, banojnë disa deputetë të opozitës aktuale. Fill pasi u bë krybashkiak i Tiranës Lulzim Basha, banorët shpresuan se rrugicat e lagjes do të asfaltoheshin, meqë deputetët atëherë ishin në mazhorancë. Por ata u zhgënjyen – vetëm rrugicës që lidhte rrugën kryesore me pallatin ku banonte një nga deputetët, iu hodh shpejt e shpejt një shtresë asfalt (për trotuare nuk bëhej fjalë). Ndërsa rrugicat e tjera mbetën me pluhur e me baltë, siç kishin qenë para 60 vjetësh. Dhe blloku ynë i banimit ndodhet vetëm 500 metra larg sheshit Skënderbej…
Le të zhvendosemi 5 vjet në kohë, dhe le të shohim se ç’ka ndodhur aktualisht me bllokun tonë.
Të gjitha rrugicat janë asfaltuar dhe janë pajisur me trotuare. Sinjalistika rrugore, si ajo horizontale edhe vertikale, mbulon çdo metër të rrugicave të bllokut. Pranë pallateve janë vendosur stola për banorët dhe janë mbjellë lule e shkurre dekorative. Në një shesh të vogël, që deri dje mbulohej nga hedhurinat, është ndërtuar një kënd lojrash për fëmijët.
Me pak fjalë, blloku ynë i banimit nuk ngjan më me një bllok banimi të Kandaharit, por me një bllok europian (Shihni fotot shoqëruese). Dhe më e bukra është se punimet janë kryer nga punonjësit e bashkisë, e jo nga ndonjë firmë private, që ta krip kokën kur fiton tenderin.
Por blloku ynë nuk është i vetmi që është rregulluar (i është bërë rikualifikim urban, thuhet në gjuhën e urbanistëve). Janë gjithsej 10 blloqe të rregulluara në Tiranë brenda vitit të fundit:
1 – Shushica – Stadiumi Dinamo
2- Tregu Çam/Posta – Rr. Myslym Shyri
3-Shallvaret
4-Pallatet Agimi
5-Selita 1
6- ATSH/Fadil Rada
7-Dogana
8-Njazi Meka – Rruga Dibrës
9-Uzina Dinamo
10-Shinat e Trenit – Josif Pashko
Dhe ndërkohë, sapo ka filluar rikualifikimi urban në bllokun mes Laprakës dhe Doganës.
Basha akuzohet shpesh nga kundërshtarët e vet politikë se “fjeti gjumë” në katër vjetët që ishte në krye të bashkisë së Tiranës. Ndërsa Veliaj akuzohet nga kundërshtarët e tij se ka më shumë fjalë se sa punë.
Të paktën në lidhje me rregullimin e blloqeve të banimit, mund të thuhet se Basha ka fjetur vërtet gjumë, ndërsa Veliaj ka bërë punë. Për të mos folur për sektorë të tjerë të punës së bashkisë…