Deputeti Erjon Braçe njihet si tifoz i Partizanit dhe pas çdo ndeshjeje ai reagon në profilin e tij në rrjetet sociale. Kjo gjë ka ndodhur edhe dje, ku ka përgëzuar suksesin e Partizanit në Durrës, por ka vijuar edhe “thumbimet” e tij për Skënderbeun dhe për ofendimet që u hodhën të shtunën në stadiumin e Korçës.
Ja statusi i Braçes në profilin e tij në Instagram:
“Partizani rikthehet të fitojë, këtë vit gjithnjë jashtë fushës. Këtë herë në fushën e vështirë të Durrësit. Ndryshe nga një javë më parë, tjetër impenjim, tjetër lojë, forcë dhe presion shumë lart; Të gjithë si ekip, duke vrapuar pa ndërprerje, nga mbrojtja në sulm. Forca jonë është ky grup, buron nga kjo lojë; NDERSHMËRISHT, PA SHITUR E PA BLERË, PA VJEDHUR GJË PREJ GJËJE KËRKUJT.
Partizani luan në fushë, kurrkund tjetër. Duhet të përmirësohet ende, por sot Trashit i shkon një duartrokitje merite; 70% të dy golave të Atandës e Ekuban i bëri ai. Por, të tre ishin pjesë e së tërës, grupit. Tani; Më thanë se dje (të shtunën) në Korçë kanë sharë parë e mbrapsht, aq sa më duket se nuk e njoh më atë kryeqytet të këtij vendi; pa diskutim rrugaçëria nuk mund t’i marrë erzin qytetit, as ta identifikojë atë.
Nuk e kuptoj arsyen. Unë nuk kam folur ende, në respekt të qytetit tim, por nëse po më kërkoni ta bëj, s’e kam problem. Një gjë po ua them sot; Përsëri nuk do flas për Korçën, por për jabanxhinjtë, ata aty afër nga Devolli dhe ata ca më larg, pavarësisht në janë të verdhë apo të kuq, që me emrin e Korçës gënjejnë e bëjnë lekë, leka – thotë njëri prej tyre, për vete, gjithnjë për vete, shumë, shumë lekë.
Plaçka e jabanxhinjve që zihen për lekë nuk mundet kurrë t’i marrë nderin Korçës. Me ta e kam dhe po ua them: Di për ju më shumë seç dini ju për njëri-tjetrin, madje di për ju më shumë se UEFA!”.
Panorama/di